Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 3 vite burg për Mariela Berishën dhe 3 vite shërbim prove për Antonela Berishën, dy motrat që dhunuan brutalisht blogeren Klea Prenga më 6 gusht të vitit të kaluar.
Mariela Berisha aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa motra e saj Antonela Berisha, në “detyrim paraqitje”, pasi akuzohen për kryerjen e veprës penale “plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

Në rast se gjendet fajtore, Mariela Berisha, e cila akuzohet për plagosje me dashje, përfiton nga gjykimi i shkurtuar duke e zbritur dënimin në 2 vite burg.
Ngjarja që mori përmasa mediatike, ndodhi më 6 gusht të vitit të kaluar, në ambientet e një lokali te “Kodra e Diellit”, teksa 26-vjeçarja Klea Prenga po konsumonte darkë me shoqet e saj.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë treguan momentin kur dy motrat sulmonin të renë duke e goditur edhe me gotë xhami në fytyrë, gjë që i shkaktoi dëmtime të përhershme.
Në videot që Klea Prenga publikoi pas ngjarjes në rrjetet sociale, ajo shihej e mbuluar në gjak dhe gati e shpërfytyruar nga sulmi i dhunshëm.
Të dyja motrat u dorëzuan në polici më 16 tetor, më shumë se dy muaj pas ngjarjes së ndodhur. Blogerja vazhdimisht ka publikuar në rrjetet sociale detaje nga konflikti me motrat Berisha, i cili dyshohet se ka nisur për shkak të lidhjes me një biznesmen, me të cilin Mariela Berisha kishte qenë e martuar më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.