Gazeta Si – Gjykata e Fierit ka lënë në burg Klaudio dhe Ledjan Kapllanajn, dy nipat e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanajt, të cilët dhunuan fizikisht agjentët e BKH disa ditë më parë.
Masa “arrest me burg” është caktuar edhe për punonjësin e firmës së Kapllanajt, Gerald Kollçaku, i cili po ashtu dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj agjentëve të BKH të cilët ndodheshin pranë firmës së Kapllanajt duke vëzhguar me dron.
Në deklaratën e dhënë para gjykatësit, nipat dhe punonjësi i Kapllanajt u shprehën se nuk kishin dijeni se personat me të cilët ishin konfliktuar ishin punonjës të BKH.
Tre të afërmit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, të cilët u bënë protagonistë të një incidenti me agjentë të BKH-së mbrëmjen e së martës, akuzohen për “goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Një ditë më parë, Prokuroria e Fierit, përmes një komunikate për mediat, njoftoi se ka regjistruar procedim penal, duke nisur hetimet për Ledjan Kapllanaj, Klaudjo Kapllanaj dhe Gerald Kollçakun.
Po ashtu, organi i akuzës sqaron në detaje përplasjen që të afërmit e Kapllanaj patën me forcat e rendit dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare.
I gjithë episodi ka nisur në një kohë kur një agjent i BKH-së, i shoqëruar nga efektivët ka qenë duke zhvilluar një operacionin me urdhër të SPAK në fshatin Portëz e Madhe.
Sipas njoftimit, ata janë filmuar nga një O.I., dhe kjo i ka bërë të braktisin operacionin për t’u zhvendosur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, ku edhe u janë afruar disa persona që mbërritën me 3 makina, për t’i sulmuar fizikisht.
“Gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur ‘Rrethrrotullimi i Parkut’, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit”, sqaron Prokuroria e Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.