Gazeta Si - Ka ndërruar jetë në një spital në Tiranë, Zyhdi Shehu, historiani, i cili dyshohet se vrau një të moshuar në një azil në kryeqytet pak ditë më parë për arsye që dyshohet të kenë lidhje me problemet shëndetësore nga të cilat vuante.
Shehu, 77 vjeç, u vendos në qendër të vëmendjes pas ngjarjes së rëndë të 8 gushtit, kur vrau me bastun shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, në azilin privat në Tiranë, “Ruaje Moshën”.
Shehi dyshohet se e goditi disa herë shokun e tij me bastun në kokë, duke e lënë të vdekur, ndërsa sipas burimeve vuante nga parkinsoni dhe demenca.
Botuesi Fatmir Toçi, me anë të një postimi, ka bërë me dije se studiuesi e historiani kavajas, Zyhdi Shehu ndërroi jetë në një spital në Tiranë.
"Ka ndërruar jetë sot në një spital të Tiranës studiuesi dhe historiani Zydi Shehi, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë, i bërë i njohur kohët e fundit edhe për një ngjarje të rëndë në një azil të Tiranës, rrethanat dhe përfundimet e së cilës janë akoma të pazbardhura dhe të paqarta plotësisht…
Zydi Shehi ishte një figurë e mirënjohur në Kavajën e tij si familjar dhe qytetar i devotshëm, studiues i apasionuar pas historisë, veçanërisht për qytetin e tij, Kavajën dhe rrethinat e saj dhe autor i disa botimeve me vlerë dhe interes të veçantë në këtë fushë, duke sjelle fakte dhe interpretime të panjohura më parë.
Për këto kontribute për qytetin e tij dhe shoqërinë e emancipuar kavajase ai ishte shpallur njëzëri nga Këshilli Bashkiak i qytetit “Qytetar Nderi i Kavajës”, titull i merituar për një personalitet të shquar e me kontribute konkrete si Zydi Shehi, i cili gjatë gjithë jetës së tij reflektoi mirësi, korrektesë e kulturë, shembullin e modelin e qytetarit bashkëkohor.
Ndarja nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të mundimshme, me probleme të dhimbshme e situata të pamerituara për natyrën e tij fisnike, ka pikëlluar jo vetëm familjen, të afërmit e miqtë e tyre, por dhe çdo kavajas e këdo që e ka njohur atë apo veprën e tij të çmuar", - shkruan botuesi Fatmir Toçi.
Vrasja e 82-vjeçarit Virxhil Vesho, ndodhi në dhomën ku ai po flinte së bashku me autorin e krimit. Zyhdi Shehu e goditi atë në kokë me bastun duke e lënë të vdekur.
Në dëshminë përpara oficerëve të policisë, historiani kavajas deklaroi se e goditur 82-vjeçarin, pasi ky i fundit nuk i ishte përgjigjur nëse kishte njeri tjetër në dhomë, pasi kishte dëgjuar zëra.
Kjo dëshmi e tij përpara grupit të hetimit ka shtyrë organin e akuzës dhe Gjykatën e Tiranës të caktojnë shtrimin e 78-vjeçarit në psikiatri.
Ndërkohë për dy infermieret e azilit ku ndodhi ngjarja janë lënë në “arrest shtëpie” për akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
77-vjeçari ishte një historian dhe shkrimtar i njohur për botime dhe publicistikë historike e letrare. Vitin e kaluar u shpall edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.