Gazeta Si - Gjykata e Korçës ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” Denis Meçin, i arrestuar për vrasjen e Egli Progës në Pogradec pasditen e 11 gushtit, por duke i zbutur akuzën, për “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërkohë, Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, të arrestuar për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, u lanë me masën “detyrim parqaitje”.
Prokuroria e Korçës nuk ka bërë të ditur se mbi çfarë provash ka ngritur akuzën e vrasjes nga pakujdesia ndaj Meçes, për sa kohë dëshmitarët okularë në vendngjarje e kanë parë që ai ka goditur viktimën, i cili pas rrëzimit ka gjetur vdekjen.
Pas 48 orësh, kur e ka dërguar dosjen për vlerësim në gjykatë, prokuroria ka ndryshuar akuzën për Denis Meçen, duke e zbutur atë në maksimum. Kjo vepër penale dënohet me gjobë, ose me burg deri në 5 vjet.
Në ambientet e jashtme të gjykatës, ishin të pranishëm familjarë të viktimës. E motra e Egli Progës, Jonida Proga kërkoi drejtësi për të vëllain.
“Dua të shoh vrasësin e vëllait tim... ja kafsha”, dëgjohet ajo duke qarë para gjykatës dhe në momentin e mbërritjes së autorëve të shoqëruar nga policia.
Pas vendimit të gjykatës, e cila liroi 3 personat e tjerë të akuzuar për moskallëzim krimi, Jonida Proga ka deklaruar para mediave se i vëllai i saj u vra për herë të tretë.
“Janë lënë të lirë vrasës. Çfarë janë këta persona që lihen të lirë? Po vazhdon të vritet Egli me çdo veprim dhe mosveprim që po kryhet. Kjo është vrasje për herë të tretë. Është vrasje me dashje dhe janë lënë lirë një tufë huliganësh, - tha ajo para mediave. - Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është. Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për një gjobëvënie, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushte një njeri, do të thotë që ccdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja".
Gjatë së shtunës u raportua se 42-vjeçari, Egli Proga kishte ndërruar jetë aksidentalisht në lagjen nr.1 në Pogradec.
Që në momentet e para të kësaj ngjarjeje të rëndë, u ngritën dyshime që Policia e Pogradecit ka tentuar ta devijojë dinamikën e saj, duke e orientuar si një vdekje aksidentale nga rrëzimi.
Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar një inspektim në komisariatin e policisë së Pogradecit në lidhje me veprimet e kryera për këtë ngjarje që nga momenti i parë i marrjes së njoftimit e deri në arrestimin e personave përgjegjës të dyshuar.
Edhe institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar verifikimin e veprimeve të policisë me qëllim zbardhjen e së vërtetës.
Pas verifikimeve, hetimet e komisariatit të policisë së këtij qyteti kanë zbuluar se ai ka mbetur i vdekur pasi është dhunuar fizikisht nga 29-vjeçari Denis Meçe pas konfliktit për motive të dobëta.
Autori pasi e ka goditur disa herë viktimën është larguar nga vendngjarja për t’u arrestuar pak orë më vonë nga policia.
Pasi është qëlluar disa herë nga Meçe, 42-vjeçari Egli Proga ka qëndruar për pak minuta në lokal, e më pas ka dalë dhe është rrëzuar në tokë për shkak të plagëve të shkaktuara nga dhuna.
Në momentin që ka ndodhur ngjarja kanë qenë prezent dhe persona të tjerë në lokal, të cilët nuk kanë kallëzuar në polici lidhur me krimin e ndodhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.