Ka ndodhur

Dhunoi brutalisht 42-vjeçarin në Tiranë, shpallet në kërkim autori

Gazeta Si – Policia e Tiranës ka identifikuar autorin, i cili një ditë më parë dhunoi brutalisht 42-vjeçarin Rigels Kaso, banues në Bilisht.

Mësohet se në kërkim është shpallur 34-vjeçari nga Peshkopia, Bajram Gjeleshi, i cili dyshohet se e ka dhunuar me sende të forta për motive të dobëta.

42-vjeçari Kaso ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, madje raportohet se ai ka pësuar vdekje klinike.

“Po punohet për kapjen e shtetasit B. Gj., 34 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë. Shtetasi B. Gj., ditën e djeshme, më datë 15.07.2024, në rrugën “Sokrat Miho”, dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin R. K., 42 vjeç, banues në Bilisht, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”,- njofton policia.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se motivi i konfliktit me Kason, kanë qenë disa mesazhe që ai i kishte dërguar bashkëjetueses së tij në rrjetet sociale.

Pasi ka lexuar këto mesazhe, Gjeleshi, nga profili i bashkëjetueses, e ka ftuar 42-vjeçarin për t’u takuar pranë pallatit ku jetonte në rrugën në rrugën “Sokrat Miho”.

Duke menduar se do të takonte gruan me të cilën po fliste në rrjetet sociale, ai shkoi në adresën e dhënë, ku u përball me bashkëjetuesin e saj, i cili e dhunoi me grushte.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës më datën 15 korrik dhe ai u gjet nga kalimtarët në mëngjes, të cilët njoftuan ambulancën.

42-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, duke luftuar për jetën dhe nuk ka mundur dot të deponojë para policisë. Nga verifikimet e kryera, rezulton se ai ka qëndruar në Tiranë 3 ditë para se të ndodhte ngjarja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë