Gazeta Si – Dy punonjës policie janë dhunuar mesditën e kësaj të hëne gjatë ndërhyrjes për ndalimin e një konflikti mes punonjësve të INUV-it (Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor), dhe disa personave gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike në Vlorë.
Sipas njoftimit për mediat, rreth orës 12:20, policia ka marrë informacion për një konflikt në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës.
Në përplasje, janë përfshirë punonjës të INUV dhe tre persona, konkretisht I.D., 58 vjeç, D.D., 27 vjeç dhe F.D., 23 vjeç.
Në afërsi të vendit të ngjarjes, ndodheshin duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Por gjatë ndërhyrjes, ata janë goditur fizikisht nga tre personat e përfshirë në konflikt.
Në përpjekje për të ndalur sulmin dhe qetësuar situatën, njëri prej punonjësve të policisë ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime apo pasoja për persona të tjerë.
Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre, dy policët kanë pësuar dëmtime fizike dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Burime zyrtare bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga Oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dhe përfaqësues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




