Pak minuta para fillimit të ndeshjes Kastriotit-Skënderbeu, e vlefshme për javën e dytë të fazë së tretë të Superligës, në stadiumin “Redi Maloku” ndodhi një incident. Tre futbollistë të ekipit korçar, janë sulmuar nga disa tifozë të Kastriotit. Ishte vetë klubi korçar që denoncoi këtë rast dhune në rrjetet sociale, duke thënë se futbollistët, Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç janë dhunuar.
“Skandal përpara fillimit të takimit të javës së 20-të, Kastrioti-Skënderbeu. Rreth 25 persona të paautorizuar brenda stadiumit ‘Redi Maloku’ kanë goditur dhe dhunuar lojtarët bardhekuq, Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç. Asnjë forcë policie e pranishme në stadium për të ruajtur rendin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes”, shkruhej në denoncimin që vetë klubi i Skënderbeut i ka bërë këtij rasti. Nuk bëhen të ditura detajet se si ngjarja ka precipituar deri në këtë pikë.
Sakaq nga ana e drejtuesve të Skënderebut mësohet se reagimi ka qenë shumë i ashpër. Presidenti dhe drejtuesit e tjerë kanë kërkuar që takimi të shtyhet, ose në stadium të mbërrijnë forca speciale, që të mund të garantojnë sigurinë e futbollistëve dhe të të gjithë stafit të klubit korçar.
Por edhe nga ana e klubit të Kastriotit nuk ka munguar reagimi, duke mohuar çdo lidhje të mundshme me këtë incident. Klubi krutan në një njoftim të shpërndarë për mediet thotë se kjo është një indicie për të ulur imazhin e këtij ekipi.
Edhe një herë ky rast tregon për nivelin e ultë të tifozerive shqiptare dhe mungesën e sigurisë në stadiumet shqiptare, që shkon deri aty sa mund të rrezikojnë jetën e futbollistëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




