Gazeta Ai – Natë e çmendur në ‘Maracanã’, në sfidën mes Brazilit dhe Argjentinës, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Dhunë dhe gjak në shkallët e stadiumit, pas përleshjes mes tifozëve dhe ndërhyrjes së policisë.
Ndeshja u fitua nga kampionët e botës, 0-1, me golin e Nikolas Otamendit. Loja filloi me 30 minuta vonesë, pas trazirave në stadium. Mbrojtësi shënoi në minutën e 63-të, duke i dhënë fitoren Argjentinës në Brazil. Kjo ndeshje do të hyjë në histori jo vetëm për atë që ndodhi në fushë. Për herë të parë Brazili ka humbur një ndeshje në shtëpi në kualifikueset e Botërorit.

Skuadrat u kthyen fillimisht në dhomat e zhveshjes, pas urdhrit të Mesit. Më pas loja filloi dhe në fushë kishte mjaft nervozizëm. Martineli pati rastin më të mirë për Brazilin, por topi u devijua në vijën fatale nga Romero. Martinez bëri dy pritje shpëtimtare edhe në pjesën e dytë ndaj Rafinjës dhe Martinelit.
Për të ardhur te goli i Argjentinës, i realizuar me kokë nga Otamendi, pas krosit nga këndi të Lo Celso. Në fund Brazili mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Joelinton. Argjentina kryeson me 15 pikë, Brazili pëson humbjen e 3-të radhazi dhe tashmë është vetëm 2 pikë sipër vendit të 8-të, që nuk lejon pjesëmarrjen në Botërorin 2026.
Pas ndeshjes, Lionel Mesi komentoi gjestin e tij, urdhrin për të dalë të gjithë nga fusha: “Po godisnin njerëzit me shkopinj, përdorën dhunën, duke rrahur tifozët, – tha argjentinasi, duke iu referuar policisë braziliane. – Kishte lojtarë që kishin familjarët aty. Mendon për familjen tënde, nuk e di se çfarë po ndodh dhe e ke mendjen aty më shumë se te ndeshja. U rrezikua një tragjedi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




