Ngjarje

Dhuna nga fisi ‘Rraja’, ‘shkrihet’ komisariati i Policisë së Krujës, Tonin Vocaj merr kompetencat

Rexhep Rraja, djali i deputetit të dorëhequr tashmë të Partisë Socialiste Rrahman Rraja dhe vëllai i tij Xhelal Rraja janë identifikuar nga policia e shtetit si organizatorë të dhunës ndaj dy kushërinjve të fisit Maja.

Ngjarja ndodhi mesditën e 6 korrikut në një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë, ku anëtarë të fisit Rraja goditën në një lokal me shkopinj gome dhe shkopa bejsbolli Bilbil dhe Jashar Maja.

Përmes një deklarate të gjatë për mediat policia e Tiranës paralajmëron gjithashtu se do të ketë dhe ndryshime në nivelin zbatues dhe drejtues të komisariatit të Policisë së Krujës.

Policia nuk njofton mbi arsyet, por denoncimet e vetë banorëve të Borizanës kanë qenë të qarta. Policia aty nuk mori asnjë masë pas 40 denoncimeve që vetë banorët kishin adresuar ndaj shpërthimeve të forta nga guroret, duke rrezikuar banesat ku jetonin

“...Në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.

Policia e Shtetit kërkon mbështetjen e publikut për dhënien e informacioneve për vendndodhjen e këtyre personave dhe për çdo informacion të telefonojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë”, thuher në njoftimin e Policisë.  

Paralelisht me këtë njoftim, ministri i Brendshëm u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, në zyrën e këtij të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë