Ngjarje

Dhuna në familje, Anastasi: Urdhrat mbrojtës të zbatohen menjëherë, dhunuesi largohet nga banesa. Fajtorë, gjykata dhe policia

Nga GazetaSi – Ekspertët hartues të ligjit për “Masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, shprehen të pakënaqur me zbatimin e këtij ligji, i cili prej vitit 2016 kur u hartua, ka pësuar disa ndryshime.

Nisur nga ngjarja e së shtunës ku një 37-vjeçare nga Elbasani, nënë e dy fëmijëve u masakrua nga bashkëshorti i saj, një nga nismëtaret e ligjit, juristja Aurela Anastasi thotë se ky ligj nuk po zbatohet si duhet madje ka një keqkuptim të madh tek institucionet ligjzbatuese.

“Shoh që ka një keqkuptim në zbatimin e ligjit kur kërkohet denoncimi ose miratimi i viktimës për të ndjekur çështjen në procesin penal. Përkundrazi, ligji parashikon që referimi i rastit për ndjekjen penale duhet të kryhet automatikisht tek organet përgjegjëse. Këto të fundit vendosin nëse do të ndiqet rasti edhe në procesin penal”, thotë hartuesja e ligjit  për “Masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, Aurela Anastasi për Gazetasi.al.

Aurela Anastasi

Megjithë ndryshimet që ka pësuar ky ligj, ku në vitin 2020 u forcuan masat veçuese, Anastasi fajëson së pari mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve si dhe bashkëpunimin me qytetarët e komunitetin, për moszbatimin si duhet të tij.

Sipas saj, dy prej institucioneve problematike janë Policia e Shtetit dhe gjykata.

“Ende nuk po arrijmë të bëjmë efektivë urdhrat paraprakë të mbrojtjes së menjëhershme që duhet të nxjerrë Policia e Shtetit.

Kjo e fundit në shumë raste pasi kryhen vlerësimin e riskut, i drejtohet gjykatës për të kërkuar urdhrin e mbrojtjes dhe heziton të nxjerrë një urdhër paraprak për largimin nga banesa të familjarit që ushtron dhunë. Gjithashtu, vërejmë se as policia e shtetit as gjykata nuk e zbatojnë thelbin e këtij ligji, me ndryshimet e vitit 2020 ka forcuar masat veçuese”, thotë juristja e njohur e kontaktuar nga Gazetasi.al.

Referuar rastit të rëndë, Anastasi thotë se ligji sanksionon si masë parësore largimin e dhunuesit/ses nga banesa për një periudhë të përkohshme, por kjo nuk zbatohet.

Sipas saj, pa ndërmarrë këtë masë, është e padobishme të ndërmarrësh masat e tjera, të cilat janë masa ndihmëse apo dytësore në lidhje me të parën.

Ekspertja juriste thotë se në të gjitha vendet demokratike ku ka gjetur zbatim ky ligj, është arritur në konkluzionin se veçimi, duke larguar dhunuesin/en nga banesa familjare është masa e parë dhe e vetme që mund të ndërmerret në për rastet e dhunës në familje.

“Nuk e kuptoj hezitimin e policisë dhe të gjykatës për ta ndërmarrë këtë masë. Natyrisht, do të ishte mirë që i gjithë komuniteti të ndërgjegjësohej dhe ta konsideronte si zgjidhje largimin nga banesa për disa kohë të dhunuesit apo dhunueses. Por, nëse kjo nuk ndodh vullnetarisht, policia dhe gjykatat mund ta realizojnë përmes detyrimit të tyre me urdhrat e mbrojtjes që lëshojnë në bazë të këtij ligji”, thotë juristja Aurela Anastasi.

“Më lejoni të bëj një thirrje si juriste për të gjithë qytetarët: mbrojtja dhe parandalimi i dhunës në familje arrihet me ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve! Prandaj, të ndihmojmë familjen dhe të mbrojmë jetën, duke denoncuar dhunën dhe duke mos e justifikuar atë për asnjë arsye! Paqe në familjet tona!”, shton ajo.

E pyetur në lidhje me ndihmën që u jepet viktimave të dhunës në familje, bazuar në ligjin për “Masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, Anastasi thotë se shërbimet sociale që ofrohen, janë për mbështetjen e viktimës, por ajo është kundër strehimit të viktimave të dhunës në qendrat apo strehëzat e ngritura.

“Nuk mund të mendojmë që veçimi i anëtarëve të familjes si masë paraprake, mund të kryhet duke nxjerrë jashtë shtëpisë viktimën me fëmijët dhe duke e dërguar atë në në strehëza me afate të papërshtatshme. Kjo do të ishte shumë e dëmshme dhe do të përbënte një stimul për dhunuesit/set, si dhe një shkelje e të drejtave të viktimës. Nga ana tjetër strehëzat janë për të përballuar rastet emergjente dhe për të mbështetur viktimën në ditët më të rrezikshme të ushtrimit të dhunës”, thekson juristja.

Në fund, Aurela Anastasi i bën apel si juriste të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë për të parandaluar dhunën në familje, duke e denoncuar atë dhe duke mos e justifikuar për asnjë arsye.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë