Ngjarje

Dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Shefi i Urgjencës te Spitali i Traumës: Ka dëmtime në kokë, orët në vijim vendimtare

Nga Gazeta Si- Shefi i Urgjencës te Spitali i Traumës Gjovalin Bushi në një prononcim për mediat ka folur për gjendjen shëndetësore të avokatit Sokol Mëngjesi, që u dhunua nga tre persona ditën e djeshme.

Bushi shprehet se pacienti ka dëmtime të shumta në kokë ndërsa tha se orët në vijim janë vendimtare, në raport me atë sesi do të reagojë pacienti.

“Nga momenti i djeshëm e deri më sot gjendja thuajse është stabël, megjithëse duhet ta themi se pacienti vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Ka dëmtime të mëdha në kokë. Dje i është bërë një ndërhyrje e vogël nga pjesa e neurokirurgëve. Në ekzaminimin që është bërë sot në mëngjes është konstatuar se ka një ulje të edemës, e cila është ndër faktorët kryesorë që e rëndon gjendjen e pacientit”, tha mjeku, i cili shton se në këto kushte, nuk ka nevojë që të kryhet ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Nga parametrat është stabël, por pritet sesi do të reagojë më vonë. Duhet të paktën 72 orë që të shihet momenti i parë sesi do të reagojë.

“Shpresoj të kemi një përmirësim të edemës, megjithëse ka edhe dëmtime të tjera. Është nën kujdes dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Nga të dhënat që kemi nga ekipi i mjekëve që e monitorojnë, nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Shpresoj të vijojë ky ritëm, që gjendja të jetë stabël dhe të tentohet për zgjim. Pacienti ka edhe shtypje të trurit. Orët në vijim janë vendimtare”, përfundoi mjeku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë