Ngjarje

Dhuna ndaj 3-vjeçares në kopsht, MAS: Kopshti i palicensuar. Kemi kërkuar mbylljen e tij

Nga Gazeta Si – Një ditë më parë, në media u publikua rasti i një vajze 3-vjeçare e cila ishte dhunuar nga edukatorja e një kopshti privat në Tiranë, ku dhe sipas deklaratave të prindërve, vajzës i është thyer këmba nga dhuna e ushtruar.

Babai denoncoi në emisionin “Stop” se vajza e tij është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në datën 1 nëntor 2023 dhe si pasojë, 3-vjeçares i është thyer këmba.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit, e cila thotë se kopshti në fjalë vepronte në kushtet e paligjshmërisë, pasi ishte pa licencë. Për këtë arsye, MAS thotë se ka kërkuar nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake mbylljen e menjëhershme të kopshtit.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëhershme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licencuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, njoftoi MAS.

MAS thotë se ka ngritur një Task-Forcë për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoriatet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë”, njoftoi Ministria e Arsimit.

Si ndodhi ngjarja?

Prindërit e vajzës kanë treguar se janë njoftuar nga kopshti në orën 15:00, në një kohë kur dyshohet se dhuna ndaj të miturës ka ndodhur rreth orës 10:20 të paradites.

“Në orën 3, njoftohet nusja që hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”, ka treguar babai i vajzës. Më pas, mamaja e vajzës është nisur drejt kopshtit dhe kur ka mbërritur aty, e ka gjetur vajzën poshtë tavolinës.

“Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë. Kur mbërritëm në Urgjencën e Spitalit Ushtarak, u futëm brenda dhe kërkuam ndihmën e shpejtë dhe aty dolën mjekët që ishin specialistë të kësaj fushe dhe në momentin që i bënë grafinë, grafia doli në një thyerje shumë të keqe, ishte thyer këmba, pjesa e kofshës ishte në një gjendje skandaloze”, ka treguar babai i fëmijës.

Nga pamjet filmike, duket se vajza është lënduar rreth orës 10 të mëngjesit por mosdhënia e ndihmës nga personeli dhe mbajtja për orë të tëra me këmbën e lënduar ka çuar në përkeqësim të frakturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë