Gazeta Si – Tetë tifozë të ekipeve të futbollit Vllaznia dhe Tirana janë vënë në pranga dhe janë proceduar penalisht 20 të tjerë, pas konfliktit fizik dhe dëmtimit të autobusëve më të cilët udhëtonin të shtunën pasdite.
Konflikti mes dy tifozerive erdhi pas ndeshjes së luajtur mes tyre në Kukës dhe përfundoi me fitoren e Tiranës 1-0. Sipas njoftimit të policisë, dhuna ka ndodhur në Reps, teksa tifozeritë po ktheheshin pas ndeshjes nga Rruga e Kombit.
“Në vijim të veprimeve procedurale për paligjshmëritë e kryera (konflikt fizik dhe dëmtim të autubusëve me të cilët udhëtonin), u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. X., 20 vjeç, K. Z.,18 vjeç, R. M., 18 vjeç, I. A., 18 vjeç, K. D., 38 vjeç, R. L., 18 vjeç, F. K., 18 vjeç dhe F. Sh., 20 vjeç”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Policia njofton se shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ato të komisariateve në varësi të saj, sapo janë njoftuar se në Rrugën e Kombit, tifozët e 2 skuadrave të futbollit në vendin tonë, po konfliktoheshin fizikisht, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të 106 tifozëve nga të dyja ekipet të përfshirë në konflikt.
Ndërkaq, tifozët e tjerë të shoqëruar, në përfundim të veprimeve procedurale, janë lënë të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkaterrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




