Ka ndodhur

Dhuna e Rrajave, bllokohet gurorja mbi fshatin Borizanë, kontrollohen 9 banesat e dëmtuara

Pak ditë pas konfliktit të ashpër në Krujë, subjekti gurore “Delia Group” me administrator Viktor Delian me vendndodhje rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë të Krujës, është bllokuar.

Policia njofton se pas këqyrjes së sipërfaqes ku kryhet aktiviteti i gurores si dhe të dokumentacionit të saj, është vendosur bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN dhe AKSEM.

Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje.

Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.

“Aktet procedurale të përpiluara do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si pjesë e materialeve të referuara më parë, për ngjarjen e datës 02.05.2023”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dhuna për guroren

Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për t’i kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhune barbare.

LEXO EDHE
- Ngjarja në Krujë, Rama nuk kursen as Bledi Çuçin, e shkarkon. Taulant Balla, Ministëri i ri i Brendshëm
- U shkarkua nga detyra, Bledi Çuçi: Prej ditës së parë kam shërbyer me integritet
- ‘Policia fjeti gjumë’, banorët e Borizanës: Bëmë 40 denoncime, askush nuk mori masa
- Operacion nga RENEA për të shpallurit në kërkim në zonën e Niklës dhe Tapizës
- Dhuna nga fisi ‘Rraja’, ‘shkrihet’ komisariati i Policisë së Krujës, Tonin Vocaj merr kompetencat
- Dhuna për guroren, jep dorëheqjen deputeti i PS-së, Rrahman Rraja: Largohem nga jeta politike (vendimi pas publikimit të videos)

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë