Politike

Dhuka: Mbështetje thellimit të reformave dhe lidhjes me korridoret kryesore europiane! Tabaku: Buxheti nuk reflekton vrullin për reforma

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetarja e Komisionit dhe deputetja e PD Jorida Tabaku, në Komisionin për Çështjet Europiane ngriti disa shqetësime, sidomos faktin se sipas saj nuk ka ecuri në realizimin e reformave dhe rekomandimeve.

Ajo i kërkoi ministres Dhuka shpjegime për planet që kanë për realizimin e rekomandimeve të BE dhe KE dhe se si do ndahet buxheti ndërsa shtoi se ky buxhet nuk ka asnjë ndryshim.

Tabaku u shpreh se nuk sheh të reflektuar në buxhet vrullin për reforma, apo ngritjen e shtetit në këmbë për hapjen e negociatave.

“Administrata publike ishte një nga të gjitha fushat e klasterit të parë që kishte vlerësimin  më negativ. Norma e lartë e emigracionit dhe shumë elementë të tjerë janë duke ndikuar në administratën publike”, u shpreh Tabaku.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja mbi ecurinë e procesit të negociatave, Majlinda Dhuka u ndal në mënyrë të detajuar te buxhetimi i këtyre sektorëve, duke nisur nga drejtësia, te infrastruktura, mirëqeverisja e mbështetja e administratës publike.

Dhuka theksoi se duke kombinuar mbështetjen që jep buxheti i shtetit për vitin 2025 me 5 programet e reja që fillojnë me mbështetjen e BE-së do të ketë progres me një numër masash dhe angazhimesh gjatë vitit 2025.

Sipas Kryenegociatores, ky buxhet vjen në një moment historik për Shqipërinë, e cila sapo ka çelur negociatat për grupimin e parë të kapitujve.

“Ky buxhet parashikon zhvillime shumë të rëndësishme dhe trupëzon me mbështetje programe investimesh si dhe kapacitetet njerëzore dhe institucionale, por edhe një pjesë të madhe të rekomandimeve të KE-së”, tha Dhuka.

Ajo u shpreh se buxheti parashikon mbështetje për thellimin e reformave kryesore, si dhe konsolidimin e pakthyeshmërisë së Reformës në Drejtësi.

“Në këto 3 vite do të financohet dhe projekti i digjitalizimit të sistemit të prokurorisë dhe sistemit gjyqësor. Buxheti parashikon 170 milionë lekë për rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike, si dhe për prezantimin e Inteligjencës Artificiale në proceset e punës në sistemin e drejtësisë. Po ashtu buxheti parashikon 7 miliardë lekë për kompensimin e ish- pronarëve”, tha Dhuka.

Kryenegociatorja theksoi po ashtu se buxheti mbështet reformat në punësim si dhe thellimin e reformave në mirëqeverisje dhe forcimin e institucioneve shqiptare teksa përgatitemi për të qenë administrata e një vendi anëtar të BE-së.

Dhuka gjithashtu tha se buxheti mbështet lidhjen e tregut shqiptar me tregun rajonal dhe tregun e përbashkët të BE-së, duke mbështetur rritjen e eksporteve dhe prodhimeve vendase.

“Deri në 75% e eksporteve shqiptare shkojnë në tregun e BE-së”, tha Dhuka.

Në drejtim të infrastrukturës, Dhuka theksoi se mbështetet lidhja e Shqipërisë me korridoret kryesore europiane si për sa i përket infrastrukturës rrugore, edhe asaj hekurudhore, ajrore dhe detare.

“Konkretisht për sa i përket rrjetit rrugor kombëtar dhe përmirësimit të sinjalistikës, një rekomandim i vazhduar i KE-së, do të ketë një rritje domethënëse në programin buxhetor afatmesëm nga 357 milionë lekë në vitin 2024, në 800 milionë lekë parashikuar në vitin 2025”, tha Dhuka.

Po ashtu, ministrja e Shtetit theksoi se buxheti mbështet objektivin që vendi të jetë eksportues neto në rajon dhe vendet e BE-së, i energjisë elektrike brenda kësaj dekade.

Dhuka bëri të ditur se nga Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria do të përfitojë rreth 920 milionë euro kredi me kushte të lehtësuara dhe grante për reformat europiane, ndërsa vazhdon mbështetja prej 55 milionë euro nga fondet IPA, të ndara në 7 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë