Dhoma Kombëtare e Noterisë i vlerëson si pozitive ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë në ligjin për noterët. Sipas Dhomës, ndryshimet reflektojnë kërkesat e MoneyVal dhe FATF për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave të pista dhe terrorizmit.
Zv.kryetari i Dhomës Kombëtare të Noterisë, Fatmir Laçej thotë për Gazetasi.al se projektligji do të rrisë integritetin dhe besueshmërinë e notërëve, si një prej hallkave parandaluese të pastrimit të parave. Zoti Laçej sqaron se këto ndryshime janë edhe rekomandime të MoneyVal dhe FATF.
“Në dhjetor 2018 është miratuar ligji për noterinë. Ligji ka parashikuar edhe një lloj vettingu për notereët dhe 470 noterët e Shqipërisë kaluan në sitë përsa i përket vettingut, kryesisht në kuadrin e rekrutimit, kush nuk i ka plotësuar, kush ka bërë stazhin 2-vjeçar, kush është futur pa stazh, sepse ligji i mëparshëm parashikonte që një kategori profesionistësh të futeshin edhe pa stazh dyvjeçar. Pra, pasi mbaroi ky, nga ana e Moneyal dhe FATF u kërkua që të forcohen kriteret për noterët përsa i përket integritetit dhe besueshmërisë së rolit të noterit. Ishte një rekomandim i tyre përmes Këshilli të Europës dhe ishte po KiE që me ekspertë dhe Ministrinë e Drejtësisisë, që kaluan edhe me disa takime me ne të Dhomës së Noterisë që hartuam këtë projektligj”, deklaron ai.

Zv.kryetari i Dhomës së Noterisë shpjegon thelbin e ndryshimeve të propozuara.
“Është një grup nenesh që ndryshojnë në ligjin për noterinë që kanë të bëjnë kryesisht me masat që do të merren ndaj noterëve, që përveç dëshmisë së gjendjes gjyqësore do të shihet edhe sjellja e tyre, etika profesionale, lidhja me elementë kriminalë, sepse në zyrën e noterit mund të hyjë kushdo, por varet se sa noteri do të jetë në gjendje që të identifikojë këta persona që janë kryesisht në fushën e pastrimit të parave dhe noteri një nga rolet kryesore ka që të parandalojë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit dhe këto kritere janë forcuar shumë dhe në veçanti për të gjithë ata që futen të rinj në profesionin e noterit”, shpjegon Laçej.
Për të ilustruar forcimin e këtyre kritereve, zv.kryetari i Dhomës së Noterëve sjell një shembull.
“Tani patëm një provim për të hyrë në shkollën e noterit për zv.noterë. Nga 87 që paraqiten dokumentacionin u kualifikuan 76, në provim hynë 57 dhe fituan vetëm 10. U bë një sitje e mirë e dokumentacionit të tyre, e njohjes, por që me miratimin nga Parlamenti të këtyre ndryshimeve që do t’i bashkëngjiten ligjit për noterinë këto kritere do të forcohen edhe më shumë”, vijon zoti Laçej.
Dhoma Kombëtare e Noterisë nuk ka vërejtje në lidhje me parashikimet e projektligjit, që procesin e vettingut të noterëve e lë në dorë të ministrit të Drejtësisë.
“Është parashikuar që këtë ta bëjë Ministria e Drejtësisë, nuk do të ketë komisione të posaçme, nuk do të ketë organe monitorimi ndërkombëtare, por do ta bëjë Ministria e Drejtësisë kryesisht përmes kontrolleve të saj dhe strukturës antikorrupsion. Ministri i Drejtësisë në kuadrin e këtyre shtesave dhe ndryshimeve që i bëhen ligjit për noterinë do të ketë të drejtën që edhe të pezullojë licenca, edhe ta heqë licencën e çdo noteri që verifikohet që ka lidhje me krimin, që bashkëpunon me elementë të cilët pastrojnë para dhe këto do të jenë masat e rrepta që do të marrë ministri i Drejtësisë”, deklaroi Laçej.
Në fund, zv.kryetari i Dhomës së Noterisë thotë për Gazetasi.al se kjo dhomë nuk ka asnjë problematikë në lidhje me projektligjin e propozuar.
“Ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë, kemi organizuar tavolina pune në lidhje me këtë. Kështu që si ka dalë ky projektligj për ne nuk ka asnjë problem. Është gjithmonë në kuadrin e asaj që formalizohet ekonomia dhe noteri të jetë ai që sanksionon transaksionet dhe e bën këtë si profesionist korrekt dhe me integritet”, deklaron Laçej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




