Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kritikuar paketën fiskale 2023 dhe propozimet për rritje të gjobave të bizneseve. AmCham e cilëson dhjetëfishimin e gjobës si antikushtetuese dhe si të pakuptueshme.
“Vendosja e gjobës në masën 10% të vlerës së parapagimit, në rast vonese të pagesës së parapagimeve të tatim fitimit, të cilat për nga natyra nuk janë një tatim i maturuar, ka elementë të theksuar të mungesës së proporcionalitetit dhe duhet të shqyrtohet edhe në këndvështrimin e kritereve të vendosura nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 33/2016”, – shkruhet në ankesë e AmCham drejtuar MFE.
Nga anëtarët e Dhomës Amerikane kundërshtohen edhe propozimet për unifikimin e akcizës te prodhuesit e birrës duke thënë se unifikimi do të dëmtojë prodhuesit vendas në raport me birrat e importit.
“Në fakt, unifikimi i akcizës së birrës për të gjithë prodhuesit, pavarësisht nga kapaciteti dhe sasia e prodhimit vjetor do t’i vendosë këta prodhues (sidomos ata vendas që prodhojnë nën 200,000 HL/vit) në disavantazh në raport me prodhuesit e mëdhenj ndërkombëtarë që kanë mundësi të ndjekin strategji të kostove të ulëta si rezultat e ekonomive të shkallës. Hapësirat e krijuara për shmangie si rezultat i regjimit aktual nuk duhet të përbejnë arsye të rëndësishme për këtë ndryshim, përkundrazi, qeveria, për rastet e abuzimit, duhet të përmirësojë mekanizmat e parandalimit dhe kontrollit të saj por jo të ndryshojë normat e taksat duke i rritur ato”, thekson AmCham.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.