Dhoma Amerikane e Tregtisë ngre shqetësimin për klimën e pafavorshme në Shqipëri për të investuar nga investitorët e huaj. Kreu i Dhomës Amerikane, Enio Jaço në një konferencë për shtyp u shpreh se Shqipëria klasifikohet e 82-ta për investimet amerikane dhe kjo vjen si pasojë e klimës jo të favorshme ndaj bizneseve.
“Shqipëria renditet e 82 në botë, ndërkohë që të gjithë fqinjët tanë (përveç Bosnjes, e cila ka kushte të tjera gjeopolitike) renditen ndjeshëm më lart. Mali i Zi renditet e 50, Kosova e 58-ta, Serbia e 44, ndërsa Maqedonia e Veriut e 17-ta. Serbia dhe Maqedonia e Veriut që kanë fituar konkurrencën rajonale për thithjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të fillojë të mendojë për këtë”, deklaroi ai.
Bilanci tregtar me Shqipërinë është rreth 100 milionë dollarë, shumë i ulët, sipas Jaços po të krahasohet me shkëmbimin prej 230 milionë dollarë me Maqedoninë e Veriut.
Shkaqet, sipas Jaços, janë të shumta të lidhura me korrupsionin, problemet e pronave, konfliktet gjyqësore, ndryshimet e shpeshta të paketës fiskale, si dhe të faktit që vendi ynë nuk ka lehtësira fiskale.
“Korrupsioni është një problem dhe çfarë do që të themi ne për klimën dhe formën e investimeve, nëse nuk e godasim dhe nëse nuk themi se kemi hapa përpara. Ka ardhur koha për t’u parë në sy, sepse ditën e ardhshme do të jenë vendimtare ku do të vendosin nëse do të tërheqim investitorë të mëdhenj apo do të kemi largime”, tha Jaçe. Kjo sipas tij sjell edhe largimin e investitorëve ku rasti më i fundit është ai firmës amerikane kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, e shpallur fituese e garës së hapur nga aeroporti, por që akoma nuk po nis nga zbatimi i kontratës dhe se çështja po zvarritet në gjyq.

“Rastin më i fundit është ai i investitorit amerikan për Duty Free, firma e ka fituar këtë tender e ka lidhur një kontratë me Aeroportin e Rinasit, parashikon të investojë 3 milionë USD dhe sot e kësaj dite ndeshet me procese gjyqësore që s’kanë lidhje me biznese të tij dhe ndeshet me entitete të tjera që ne i shikojmë të çuditshme. Dhe ky është një rast specifik që synon të ketë një marrëdhënie konkrete, të ketë një kontratë dhe sot e kësaj dite nuk ka nisur punën”, theksoi kreu i DHAT-së.
Por ai nuk dha ndonjë detaj nëse vendimi i gjykatës për Cruise Duty Free do të ishte negativ dhe firma amerikane mund t’i drejtohej Arbitrazhit, duke shtuar se eksperienca ka treguar se këto gjyqe kanë treguar një barrë ekonomike për shtetin shqiptar. Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “duty free”. Përmes një serie lëvizjesh dhe padish në gjykata, Albania Duty Free Distribution (ADFD), kompania e cila ka administruar zonën “Duty Free” që prej viteve 2000, nuk u largua , ndonëse rezultoi humbëse e garës së hapur nga TIA. Të martën kjo gjykatë pritet të japë vendimin për këtë çështje, për të cilën është interesuar vetë ambasadorja e re amerikane.
Një tjetër shqetësim për Jaçon është se Shqipëria nuk i ka konkurruese taksat në raport me vendet e rajonit, e kjo e bën të pamundur që investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri. Edhe për koncesionet, DHAT kërkon të kihet kujdes, pasi mund të rezultojnë borxhe të fshehura.
“Shqipëria nuk ka nivelin më konkurrues të taksave, por ka problem më të madh se kjo. Ndryshimi i paketës fiskale është problematika më e madh e ngritur nga investitorët dhe kjo e bën të pamundur ndëshkimin e korrupsionit. Kemi ndarë shqetësimet me FMN për koncensionet që mund të krijojnë një borxh të fshehur dhe kjo mund të jetë në kurriz të qeverive të tjera”, theksoi Jaço.
Pyetjes se si e shihte Minishengenin Ballkanik dhe se a do të merrte impulse pozitive Shqipëria prej tij Jaço iu përgjigj: “Minishengeni është pjesë e një network-u global. Vendet e rajonit e kanë mbështetur këtë iniciativë. Ne besojmë se nëse Ballkani Perëndimor unifikohet krijon një klimë pak më të mirë për investitorët. Mendoj se në këtë iniciativë duhet të marrin pjesë të gjithë, përfshirë dhe Kosovën. Gjithsesi e shoh dhe si prioritet dhe si kërcënim pasi me hapjen e tregut, shumë mallra të huaja mund të konkurrojnë në tregun vendas. Njoh disa marka shqiptare që kanë pasur mundësi që të konkurrojnë në tregjet e Europës, në rast se shumë mallra nga vendet e rajonit vijnë në Shqipëri mund të krijojnë vështirësi për produktet shqiptare”, theksoi Jaço.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje