Biznes

Dhoma Amerikane e Tregtisë: Gjetja e fuqisë punëtore, shqetësimi kryesor i bizneseve

Nga Gazeta ‘Si’- Për të dytin vit radhazi, mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore është kthyer në shqetësimin kryesor të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Ky tregues mori vlerësimin më të ulët në Indeksin e Besimit të Bizneseve, vetëm 23.06 pikë, nga 100 të mundshme. 

Ndonëse Indeksi vjetor i Dhomës Amerikane mbi klimën e biznesit në Shqipëri, ka shënuar një përmirësim prej afro 2 për qind këtë vit, shifrat sipas autorëve janë ende nën mesataren e pritshme dhe ka një sërë shqetësimesh.

“Anëtarët e Dhomës amerikane vlerësojnë se gjetja e stafit të kualifikuar lokal kryeson në listën e çështjeve të perceptuara si problem. Në raport me një vit më parë, treguesi ka rënë me 1.4 pikë përqindje dhe për fatin e keq tregon se ky është një nga problemet kryesore,” deklaroi Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane.

Ndër shqetësimet kryesore në këtë organizatë mbeten monopolet dhe konkurrenca e pandershme për afro 64 për qind të anketuarve, ekonomia informale për mbi 63 për qind të tyre, ndërsa 59.5 për qind e pjesëmarrësve vlerësuan keq treguesin “Niveli i Korrupsionit”, duke e renditur atë si një shqetësim në rritje për shumicën e tyre.

Lidhur me korrupsionin, biznesmeni amerikan Mark Crawford tha se ai është shkaku që po i nxit njerëzit të ikin.

Largimi i njerëzve nga vendi, thotë ai, është një gropë e madhe për ekonominë, një problem themelor, sepse midis tyre janë edhe shumë persona të kualifikuar bashkë me punëtorët e thjeshtë.

“Ikja e tyre do të thotë se shqiptarët janë duke votuar me këmbë, duke shkuar në vende të tjerë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk janë të aftë për punën, por po i marrin aftësitë e tyre dhe po ikin bashkë me to. Kjo është një zgjedhje e tyre, është një votim, që është duke ndodhur përditë. Nëse kjo do të vazhdojë, nëse shqiptarët e kualifikuar ikin, është shumë vështirë për ne, që të importojmë për të zëvendësuar ata”, thotë zoti Crawford.

Garancinë për rritje të besimit të këtyre treguesve, e dha drejtuesja e politikave antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, Rovena Pregja. Kjo me anë të strategjisë anti-korrupsion 2024-2030.

“Strategjia e re Ndërsektoriale kundër Korrupsionit do të sjellë më shumë bashkërendim, duke luftuar veçanërisht korrupsionin në administratën publike,” deklaroi Pregja.

Presidenti i ri i Dhomës Amerikane të Shqipërisë, Grant Van Cleve theksoi se Indeksi flet për Shqipërinë konkrete, që duhet përmirësuar, edhe pse disa shohin gjysmën e gotës bosh apo plot.

“Këtu po ndodhin disa gjëra: ka nisma për derregullimin mbi inspektorët, ka rezultate nga reforma në drejtësi, dhe me SPAK-un. Të gjithë këto bashkohen në rrugën e duhur për të kapërcyer në një nivel më të lartë, se kështu ndryshohet edhe perceptimi për zhvillimin, ftohen njerëzit që të kthehen përsëri në vend dhe të vijnë njerëz të rinj për të arritur në nivel domethënës”, tha zoti Cleve.

Ulje kanë shënuar në Indeksin e këtij viti edhe ecuria e reformave ekonomike në të tre elementet: zhvillimi i ekonomisë, kërkesa për mallra e shërbime si dhe investimet, si dhe në punësim, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa në përmirësim, sipas këtij Indeksi, janë raportet e bizneseve me gjykatat, me pronat private, me pronësinë intelektuale, me tatimet dhe doganat, me ministritë, si dhe nismat antikorrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë