Banka e investimeve zvicerane do të përballet me shkurtime.
Shpëtimi i Bankës Credit Suisse nga banka UBS, pritet të shkaktojë dhjetëra mijë shkurtime të vendeve të punës. Sektori financiar i Zvicrës tashmë po përgatitet për një goditje të rëndë nga blerja e diskutueshme.
Biznesi vendas i Credit Suisse dhe banka e saj e investimeve, të cilat punësojnë kolektivisht më shumë se 30.000 staf, pritet të mbajnë peshën kryesore të shkurtimeve.
Numri i shkurtimeve mund të jetë sa një e treta e 120.000 vendeve të punës, pasi UBS po mbyll një pjesë të madhe të bankës së investimeve dhe po heq rolet e mbivendosura në Zvicër.
Marrja u organizua nga autoritetet zvicerane gjatë fundjavës, pasi ata u alarmuan me shkallën e tërheqjeve të depozitave të klientëve javën e kaluar.
Marrëveshja 3.25 miliardë dollarë është kritikuar për humbjet e shkaktuara nga zotëruesit e obligacioneve, si dhe mungesën e votës së aksionarëve për unionin.
Credit Suisse, e cila në fund të vitit 2022 punësonte pak më shumë se 50.000 njerëz, ishte tashmë në mes të një përpjekjeje të gjerë për shkurtimin e vendeve të punës, me 4.000 pozicione të shkurtuara deri më tani këtë vit.
Por marrja në dorëzim, pritet të rezultojë që shumë prej 17.000 bankierëve të investimit të Credit Suisse, të humbasin punën e tyre, pasi UBS do të mbyllë pjesën më të madhe të njësisë.
UBS, e cila punëson 74.000 staf globalisht, do të kërkojë gjithashtu të heqë rolet e mbivendosura të Credit Suisse në Zvicër, të mbyllë degët dhe të reduktojë stafin në pozicionet administrative, sipas njerëzve me njohuri për planet.
Shefi ekzekutiv i UBS Ralph Hamers, tha se ata do të përpiqen të reduktojnë 8 miliardë dollarë kosto në vit deri në vitin 2027, ku 6 miliardë dollarë do të vijnë nga reduktimi i stafit dhe 2 miliardë dollarë nga shpenzimet e IT.
Credit Suisse shpenzoi 8.8 miliardë Franga Zvicerane për kosto personelit vitin e kaluar.
Në një memorandum për stafin ditën e hënë, shefi ekzekutiv i Credit Suisse Ulrich Körner dhe kryetari Axel Lehmann, thanë se çdo vendim për vendet e punës nuk është marrë ende.
“Ne do të punojmë me zell dhe me ritëm gjatë periudhës së ardhshme, për të identifikuar se cilat role mund të ndikohen,” thanë ata. “Aty ku është e nevojshme, ne do të komunikojmë me individët e prekur, në përputhje me udhëzimet dhe politikat specifike të vendit.”
Marrja e kontrollit të Credit Suisse nga UBS, pritet të përfundojë në gjysmën e dytë të vitit.
Fondacioni Ethos, i cili përfaqëson investitorët institucionalë zviceranë, që zotërojnë kolektivisht ndërmjet 3 % dhe 5 % të të dyja bankave, tha se po u bënte presion autoriteteve zvicerane dhe UBS-së, për të shkëputur biznesin vendas të Credit Suisse, i cili punëson pak më pak se 17.000 njerëz.
“Kjo do të ruante vendet e punës dhe do të ruante një konkurrencë të shëndetshme, e cila do të siguronte funksionimin e duhur të ekonomisë sonë”, tha Ethos.
Ndërkohë, Shoqata Zvicerane e Punonjësve të Bankës, i ka bërë thirrje ekipit drejtues të Credit Suisse, të krijojë një grup pune për të menaxhuar rrezikun e shkurtimeve masive të vendeve të punës.
Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




