Futboll

Dhjetë me yll, Vllaznia shpallet kampione e Shqipërisë në futbollin e femrave

Gazeta Si – Me këtë të sotmin janë 10 radhazi titujt kampion të Vllaznisë në futbollin e femrave. Që do të thotë një yll i qëndisur në fanellën kuqeblu. Dominimi i kësaj skuadre, që shkoi deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, është absolut në kampionatin shqiptar.

Megi Doçi dhe shoqet e saj nuk njohin rivalë. Vllaznia mundi sot Tiranën 3-0 dhe siguroi matematikisht titullin e 10-të kampion. Golat e fitores u shënuan Doçi, Gjergji dhe Berisha.

Vllaznia feston nje nga golat ndaj Tiranes. Gazeta Si, 22 maj 2023

Vllaznia ka grumbulluar 54 pikë në 18 javë kampionat. Statistikat janë mbresëlënëse: 18 fitore, 0 barazime dhe 0 humbje. Skuadra e presidentit Lazër Matija, i cili ka meritën kryesore për këtë Vllazni fituese, nuk diskuton asnjë kundërshtar në kampionat.

Pas fitores me Tiranën, në stadiumin ‘Loro Boriçi’ është zhvilluar ceremonia e titullit, ku vajzat kanë marrë medaljen e kampionit nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Bardhyl Jera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë