Teater

“Dhimbje e lehtë”, një refleksion për pasiguritë e një marrëdhënieje

Nga Gazeta Si - Tragjikomedia “Dhimbje e lehtë” që ka në qendër raportin burrë-grua së bashku me ëndrrat, dëshirat, kujtimet që marrin një sërë trajtash nga pasiguritë dhe frikërat do të vijë premierë më 28 prill në Teatrin Eksperimental.

Tragjedinë e shkruar nga autori britanik, Harold Pinter që fokusohet më shumë tek frika e burrit nga e panjohura, plakja dhe nga kërcënimet e tjera të identitetit të tij, Valdrin Hasani me konceptin e tij regjisorial do ta sjellë si formë refleksioni edhe për realitetin shqiptar.

Regjisori Hasani thotë për Gazetasi.al se kjo vepër e ka grishur që kur e ka lexuar për herë të parë për ta vënë në skenë, pasi orvatet rreth së përditshmes njerëzore.

“Që në herë të parë kur e kam lexuar këtë vepër i vetmi mendim që m’u ngulit në mendje, e që me kalimin e kohës m’u kthye në një vendim të pashmangshëm ishte që ta sillja si regjisor këtë tragjikomedi në skenën shqiptare. Është një vepër që ka shënuar shumë suksese në skena të ndryshme botërore, ndaj mendova se edhe publiku shqiptar duhet të njihet me të. Më ka ngacmuar gjithmonë vepra e Harold Pinterit, i cili luan fort me realitetin dhe të përditshmen njerëzore, sipas një këndvështrimi të tij shumë specifik, grotesk e detajist deri në cingërimat më të fundit të një marrëdhënieje a fenomeni”, shprehet Hasani për Gazetasi.al, ndërsa shton se e tillë “është parë dhe lidhja shumëdimensionale mes burrit dhe gruas, Eduardit dhe Florës”.

Te “Dhimbje e lehtë” e përkthyer nga Rudi Erebara, raporti burrë-grua do të vijë nën interpretimin e dy aktorëve të talentuar, që janë çift edhe në jetën e tyre reale, Eni Jani dhe Genci Fuga.

Hasani zbulon se në këtë shfaqje ka shumë ulje e ngritje të gjendjeve emocionale të dy protagonistëve dhe situata që përmbysin e transformojnë njëra- tjetrën deri në minutën e fundit të shfaqjes.

Sipas Hasanit, problematikat në çift janë të kahershme dhe janë shumë aktuale për shoqërinë shqiptare. Nga dialogët, në dukje të përditshme, dalin në pah probleme shumë të mëdha të komunikimit të këtyre dy botëve, burrit dhe gruas.

“Në çdo kohë e në çdo shoqëri, marrëdhëniet mes njerëzve, e sidomos ato në çift janë të ndërlikuara e shpeshherë bëhen shumë problematike. Çifti që sjell Pinteri mund të jetë kudo e kurdo. Tek dialogët, monologët e tyre kam përshtypjen që do të mund ta gjejë veten çdokush. Të gjithë frikohen nga plakja, tjetërsohen e shpërfytyrohen në forma nga më të ndryshmet prej pasigurive e ndodh që përplasen tek të tjerët, duke cenuar jetën dhe ndjenjat e më të dobëtit, deri në ekzagjerim. Ndaj jam i bindur se problemet mes Eduardit dhe Florës janë shumë aktuale edhe për shoqërinë shqiptare”, vijon regjisori për Gazetasi.al.

Pyetja që kjo vepër ngre sipas regjisorit është “si të mos e humbasim atë që kemi fituar ndër vite”. Kjo vepër duke qenë se është tragjikomedi, jo vetëm do të na bëjë të qeshim, por edhe të reflektojmë mbi marrëdhëniet tona.

“E ftoj publikun që të vijë ta shijojë këtë tragjikomedi, që veç dhimbjes së lehtë sjell dhe të qeshura, por edhe zhytje në mendime: si të mos e humbasim atë që kemi fituar ndër vite. Të vijnë të kuptojnë ‘dhimbjet e tyre të lehta’, sepse çdokush do ta ketë në jetën e vet një ose disa të tilla”, thotë regjisori.

Duke e cilësuar këtë vepër si një dëshirë të hershme për t’ia servirur publikut artdashës, ai thotë se “sado e vështirë të ishte do ta vija një ditë në skenë këtë vepër, ndaj nëse s’do t’ia arrija, sigurisht që dhimbja s’do të ishte aq e lehtë”.

“Me aktorët Eni Jani e Genci Fuga po ia dalim dhe sinqerisht jam shumë i kënaqur me punën e angazhimin e tyre, me frymën e gjithë ekipit, ku bën pjesë dhe aktori Brendi Bega, skenografi Beqo Nanaj”, përfundon Hasani për Gazetasi.al.

Shfaqja do të jetë premierë më 28 prill dhe do të vijojë edhe në datat 29, 30 prill dhe 1 maj, për t’u rikthyer edhe në dy fundjavat e ardhshme në vazhdim në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë