Para

Dhëndri i Trump, Jared Kushner investitor në Shqipëri. Projekt 1 mld dollarësh në Sazan, Zvërnec dhe Ksamil

Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump do të investojë 1 mld dollarë në Shqipëri.

Bloomberg shkruan se Kushner, me anë të kompanisë së tij, Affinity Partners që mbështetet nga Arabia Saudite, synon të zhvillojë projekte rezidenciale në tre destinacione, ishullin e Sazanit, Zvërnec dhe Ksamil.

“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë kudo në botë,” deklaroi Jared Kushner për Bloomberg.

Ai planifikon të transformojë ishullin që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman.

”Affinity Partners po kërkon gjithashtu të zhvillojë Zvërnecin, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazh me rërë të bardhë. Kompania planifikon të shtojë disa resorte kryesore në zonë, me afro 10.000 njësi vila dhe dhoma hoteli”, shkruan media amerikane.

Duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, Kushner thotë se u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

Ai po synon një projekt të ngjashëm dhe në Beograd.

Grenell e vizitoi jugun e Shqipërisë verën e kaluar bashkë me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilët pozuan edhe në një foto dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Burimi: Bloomberg/Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë