Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Lushnjës, Arben Dyli për shkak të problemeve me pasurinë.
Dy ditë më parë Dyli dha shpjegime për burimet e tij financiare para KPK-së, ndërsa këtë të enjte, trupa gjyqësore vendosi shkarkimin e tij.
Në këtë seancë, u konstatua se prokurori i kishte dhënë hua një personi 50 mijë euro dhe do të merrte mbrapsht 110 mijë euro.
Konkretisht, ai i ka dhënë hua, duke nënshkruar një kontratë për 5 vite. Shtetasi A.K., ka marrë 50 mijë euro nga prokurori me interes 2 % mbi kapitalin.
Që do të thotë se shtetasi do jepte 1 mijë euro në muaj interes tek prokurori.
Huamarrësi do t’i paguante prokurorit 60 mijë euro interes ose 110 mijë euro për 5 vite, pra 60 mijë euro mbi huanë e marrë.
Prokurori ka sqaruar se shtetasi A.K., nuk merrte dot kredi në bankë se i kishte të bllokuara dhe ai e ka ndihmuar.
KPK nënvizoi se me kontratën e huasë në dhjetor 2016, prokurori Dyli ka nisur të banojë në apartamentin që kishte lënë A.K., si garanci tek prokurori.
KPK thotë se prokurori Dyli, 50 mijë euro nuk i ka deklaruar në 2016-ën si hua të dhënë, përfshirë këtu burimin dhe të ardhurat.
Megjithatë, ai është mbrojtur para trupës së KPK-së, duke deklaruar se të ardhurat e tij kanë burim punën e kryer nga vetë ai dhe të bashkëshortes.
Vetë prokurori ishte i pranishëm në seancë për të mësuar vendimin e KPK.
Prokurori Dyli ndodhej në të njëjtën zyrë me ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe gjatë operacionit të arrestimit të tij nga SPAK para pak muajsh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



