Ka ndodhur

“E dija që kishin para, kishin pasur vizita nga Greqia…” Dëshmia në polici e Ali Zilit, fqinjit që masakroi nuse dhe vjehërr në Devoll

Gazeta Si – Ai ka hyrë me një dru në shtëpinë e tyre dhe i ka qëlluar. Dy gratë, nuse dhe vjehërr, në fshatin Progër të Devollit në Korçë, kanë ndjerë zhurmën, janë përleshur me agresorin e tyre që i ka qëlluar të dyja në korridor, derisa kanë dhënë shpirt. Fatmira Bami, 60 vjeç dhe vjehrra e saj, Bukurie Bami, 80 vjeç, janë gjetur të vrara me sende të forta në shtëpinë e tyre, pas një tentative grabitjeje, në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.

Policia thotë se autor i dyshuar i ngjarjes është komshiu i dy grave, Ali Zili, 36 vjeç, i cili mendohet të jetë futur në banesë për t’i vjedhur. Pas përleshjes me gratë, të cilat kanë bërë rezistencë, autori i ka goditur për vdekje me sende të forta dhe policia njoftoi arrestimin e tij disa orë pas ngjarjes.

Policia e Devollit në vendngjarje. Gazeta “Si”, 5 mars 2022

“Mendoja që kishin para, kontrollova gjithandej por s’gjeta gjë”, ka thënë vrasësi sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetës “Si”. Policia e Korçës tregon se gjatë këqyrjes të vendit të ngjarjes gjetën gjithçka të kthyer përmbys. Vrasësi sipas burimeve të Gazetës “Si” ka rrëfyer se ishte i bindur që do të gjente para, pasi dy viktimat kishin pasur vizita nga të afërmit e tyre që janë emigrantë në Greqi.

Trupat e pajetë të dy grave, të cilat janë dhunuar për vdekje në pjesë të trupit dhe fytyrë, u gjetën nga kryeplaku i fshatit, rreth orës orës 15:15. Gratë jetonin vetëm në banesë, pasi bashkëshortët u kishin ndërruar jetë, ndërsa fëmijët e tyre jetojnë në Greqi.
Zili ka pranuar krimin, ndërkohë mësohet se ishte me precedentë të mëparshëm penalë, për dhunë dhe për vjedhje.

Kryepalaku i fshatit, Nevruz Hoxha, një një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se Bukurie Bami është gjetur e vrarë në korridorin e shtëpisë, ndërkohë Fatmira Bami është gjetur e shtrirë dhe e gjakosur në dhomën e ndenjes.
Ai bën me dije se autori është arrestuar një herë tjetër për dhunë në familje. “Ngjarja ka ndodhur gjatë natës. Gjatë ditës më kanë marrë në telefon dhe me kanë treguar për ngjarjen. Menjëherë kam njoftuar policinë. Policia ka ardhur në moment. Vjehrra me nusen bashkëjetonin. Ishin familje e mirë. Nuk i dimë motivet. Ali Zili bënte dru në mal dhe i shiste, – tregon kryeplaku. – Nuk e di nëse i ka shitur dru familjes. Ne kemi vajtur në shtëpi së bashku me policinë. Vjehrra ishte në corridor, ndërsa nusja ishte brenda në dhomën ku rrinin. Ishte e gjakosur. Në oborr ishte telefoni dhe një protezë dhëmbësh. Autori është arrestuar një herë tjetër për dhunë në familje”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë