Taksa

Detyrimet e prapambetura të rimbursimit të TVSH-së drejt zerimit, 21 mld lekë për 10 muaj

Për periudhën janar-tetor 2021, Drejtoria e Tatimeve i rimbursoi bizneseve 47% të arkëtimeve të tyre nga TVSH-ja.

Në total, vlera e rimbursimeve arriti në 21 mld lekë, 59% më shumë se 10 mujori i parë i 2020-s. Ndërsa, arkëtimet nga TVSH-ja arritën vlerën e 45.4 mld lekë, 25% më shume se 2020-a.     

Rritja e arkëtimeve është ndikuar nga procesi i rikuperimit të bizneseve dhe sipas DPT-së, kjo normë pritet të tejkalohet sepse ecuria e bizneseve është pozitive. Deri në fund të vitit Tatimet presin të rimbursojnë rreth 25 mld lekë.

Një tjetër faktor që mund të ketë ndikuar në rritjen e shifrës së rimbursimit janë zgjedhjet, ku gjatë muajit prill, TVSH e rimbursuar ishte mbi 3.7 miliardë lekë, gati dyfishi i sasisë së rimbursuar në muajt e tjerë.

Në fund të tremujorit të tretë të 2021, treguesi arriti vlerën e rreth 1.72 miliardë lekëve, duke shënuar një rënie me 85% krahasuar me stokun në fund të tremujorit të tretë 2020 dhe një rënie me 71% krahasuar me stokun ne fund të tremujorit paraardhës.

Në fund të vitit 2020, Ministria e Financave raportoi 9.7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani janë drejt zerimit.

Gjatë vitit të kaluar është dhënë për rimbursimin e TVSH-së rreth 193 milionë euro, që u është shpërndarë 1360 subjekteve si eksportues, fason, apo edhe grumbullues, duke tejkaluar planin fillestar me 4.5 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë