Mjedis

Deti po ‘kafshon’ tokën, Shqipëria në rrezik

Verë e nxehtë dhe e zgjatur, zjarre e pyje të djegur dhe rritje e nivelit të detit. Prej kohësh tashmë edhe Shqipëria ka filluar të ndiejë dukshëm efektet e ndryshimeve klimatike.

Por sa e rrezikuar është Shqipëria nga këto ndryshime klimatike dhe cilat janë rreziqet që na kanosen nga diçka e tillë?

Instituti i Politikave Mjedisore ka realizuar disa vëzhgime mbi rritjen e nivelit të detit dhe avancimin e tij drejt tokës në Shqipëri.

“ Në disa vende erozioni është aq i rëndë saqë deti ka përparuar 400-500 metra në brendësi, duke gëlltitur plazhet, pyjet dhe tokën, duke shkatërruar tokën bujqësore përmes depërtimit të ujit të kripur, duke krijuar dëme serioze materiale për investimet turistike në breg të detit dhe duke shkatërruar ligatinat dhe lagunat të cilat sigurojnë një habitat të çmuar për peshqit dhe zogjtë.”, – vëren Edvin Pacara në një publikim të Institutit të Politikave Mjedisore.

 Zonat më të prekura seriozisht nga erozioni bregdetar nuk janë çuditërisht zona ku ka mungesë të sedimenteve, zhavorrit dhe rërës nga lumenjtë ose përrenjtë, ose ku një lumë është dëmtuar, duke bllokuar sedimentet prapa digës.

Të tilla  janë disa brigje të prekura në deltën e lumit Buna, në Shëngjin, në Rushkull, në Golem, në jug të lumit Seman dhe në veri të lumit Vjosa në rajonin e Fierit etj.

Sipas Asamblesë Kornizë të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (AKKBNK), “ndryshimet klimatike janë ndryshime të klimës që i vishen drejpërdrejt ose jodrejpërdrejt aktivitetit njerëzor që ndryshon përbërjen e atmosferës globale dhe që i shtohet ndryshimit klimatik natyror, të vëzhguar gjatë periudhave kohore të krahasueshme.”

Të dyja, PNNK dhe AKKBNK, të dyja organizma ndërkombëtarë dhe ndërqeveritarë, kanë pranuar që ndryshimet klimatike po shkaktojnë ngritjen e nivelit të detit. Si rrjedhojë, kjo ka çuar në gërryerje të bregdetit.

Ky fenomen mund të vëzhgohet në shumë pika të brigjeve të Adriatikut në Shqipëri, me efektet më të dukshme në bregdetin e Shëngjinit dhe Golemit.”,- theksojnë specialistët.

Psh nëse Shëngjini disa vite më parë ishte një pyll i dendur me pisha bregdeti, sot është një plazh i  mbushur me cungjet e pishave të thara nga uji i kripur i detit, i cili po përparon drejt tokës.

Rritje temperaturash, thatësira dhe përmbytje

Edhenë  një studim të kryer së fundi nga Banka Botërore theksohet se Shqipëria është mjaft e  prekshme dhe e ndjeshme ndaj ndryshime klimatike.

Ashtu si në vendet e Evropës Juglindore, edhe në Shqipëri parashikohet që temperaturat të rriten përgjatë viteve në vijim dhe stina e verës do të jetë shumë e nxehtë me temperature që do të rriten prej 2.4° C në 3.1° C gjatë qershorit deri në gusht.

“Rritja e temperaturave dhe nxehtësia ekstreme gjithashtu paraqesin rreziqe të mëdha shëndetësore për popullatën.”, – vërehet në raport ndërsa vijohet se tendencat e ngrohjes të parashikuara në të gjithë vendin, së bashku me rënien e reshjeve, ka të ngjarë të çojnë në probleme me ujin për zonat më të thata të vendit.

Por rritja e temperaturës, si dhe rritja e shpeshtësisë dhe intensitetit të thatësirave ekstreme dhe përmbytjeve ka të ngjarë të zvogëlojë rendimentet e të korrave.

Ndryshimet e parashikuara të temperaturës tregojnë se më shumë ditë të nxehta dhe valë nxehtësie do të ndodhin mbi zonat bregdetare, gjë që gjithashtu rrit rreziqet e thatësirës dhe rreziqe më të mëdha për zjarre.”, – thuhet më tutje, ndërsa nënvizohet se ka të ngjarë të ketë shtim të ngjarjeve ekstreme të motit dhe ndryshueshmëri më të lartë brenda-vjetore të temperaturave minimale.

Përsa i përket reshjeve parashikohet që do të ketë ndryshueshmëri të madhe të tyre përgjatë vitit, gjë që do të thotë se do të kemi edhe periudha thatësire, por edhe përmbytje, rrëshqitje të tokës ose erozionit përgjatë argjinaturave dhe në zonat malore. në periudha të caktuara.

“Pritet një rënie e reshjeve (<10%), me zvogëlimet më të mëdha që ndodhin nga qershori deri në shtator. Gjithashtu do të ketë ndryshime në llojin e reshjeve që bien: nëse dikur kishte me shumë dëborë tani me rritjen e temperaturave edhe dëbora do të bjerë si shi. Priten reshje të mëdha shiu si dhe ndikime nga një rritje e përmbytjeve përgjatë vijës bregdetare për shkak të rritjes së pritshme të nivelit të detit prej 48 deri në 60 cm deri në fund të shekullit.”

Ky ndrysdhim regjimi  reshjesh kanë potencialin të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në sektorët kryesorë si bujqësia dhe gjithashtu të rrisin rreziqet natyrore, përmbytjet dhe thatësirën.

Sipas indeksit ND-GAIN, Shqipëria, si rrjedhojë e faktorit politik, gjeografik dhe social klasifikohet si shtet i ndjeshëm ndaj ndikimeve të ngrohjes globale dhe renditet në vendin e 75 nga 181 shtete të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë