Nga Gazeta ‘SI’ – Pishina e Prestige Resort që u shkatërrua sot (2 shtator) nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit(IKMT) siç duket nga pamjet satelitore të marra nga Google Maps, ka hyrë dukshëm dhe në hapësirën e rërës së plazhit dhe detit.

Pronarët e resortit deklaruan se IKMT ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme pasi dokumentet për ndërtimin e tij janë konform ligjeve.
Ministria e Brendshme reagoi për mediat duke thënë se leja është me kusht.
“Ajo do të jepet vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse. Asnjëra prej tyre nuk është plotësuar”, thuhet në reagimin e saj.
Megjithatë asnjë nga deklaratat nuk e fsheh dot faktin se pishina e resortit që zotërohet nga një pronar medie në Tiranë është vendosur duke deformuar dhunshëm vijën e plazhit duke kafshuar edhe detin.
Ajo duket qartë që ka dalë nga vija që të paktën është respektuar nga shumica e bizneseve të tjera në të dyja krahët e resortit.
Në Durrës ka kohë që edhe deti është ndarë me gardhe. Nëse lëvizni pak kursorin e do të lundroni në Google Maps përgjatë vijës bredgetare Golem-Durrës do të shikoni sesi mjedisi bregdetar është ndarë në copëza.

Siç mund të dallohet nga fotoja, në Zonën e Plazhit përgjatë vijës bregdetare janë krijuar gardhe dhe subjektet private kanë shtuar territorin e tyre me beton kundrejt rërës dhe detit.
Në zonën e Plazhit të Qerretit, gardhet janë krijuar pranë subjekteve si “Olso Marrea”, “Brilliant Hotel and Spa”, “Supreme Hotel” etj.

Gardhet dhe strukturat e betonit kanë ‘mësyrë’ drejt bregdetit me distancë nga njëra-tjetra.
Edhe në Plazhin e Golemit, nga fotot e marra nga Gazetasi.al dallohen ndërtime shumëkatëshe të cilat gjithashtu kanë hyrë në zonën e plazhit dhe të detit pranë “Hotel Elesio”.

Ndërtimet dhe ndarjet me gardhe vazhdojnë edhe në zonën e bregdetit të Kallmit dhe të Currilave.
Por rasti më skandaloz duket në foton më poshtë.

Disa hotele në zonën e “Shëtitores së Plazhit” e kanë kafshur detin deri në bregun e dytë. Kanë krijuar mure betoni dhe plazhe artificiale vetëm për bizneset e tyre.
Aty askush nuk mund të kalojë, njerëzit jo e jo por as peshqit më.
Me siguri, edhe për to, ekziston ndoshta një leje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




