Politike

“Deti”, Meta: Nuk e kam autorizuar Ramën që ta çojë në Hagë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhfrytëzuar një takim me përfaqësues të një akademie të panjohur në vend për të paralajmëruar shumëçka lidhur me qëndrimin e tij si president për marrëveshjen e Detit mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Ilir Meta është shprehur se kryeministri Edi Rama nuk është autorizuar prej tij për ta çuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare, duke i paraprirë skenarit më të keq ndofta se ai mund ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Prita në një takim me kërkesë të tyre, aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të botës akademike, të angazhuar pranë Akademisë “Rrënjët tona”, të cilët më shprehën shqetësimet lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë, për delimitimin e zonave detare midis dy vendeve tona.

I informova se Kryeministri në detyrë, Edi Rama, nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare”, tha Meta pas takimit.

Duke qenë se bëhet fjalë për një “marrëveshje ndërkombëtare” sipas një ligji të posaçëm të miratuar këtu e 5 vite më parë, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”.

Nuk dihet nëse kjo fazë, ajo e dërgimit në Hagë mund të kërkojë lejen e Presidentit, sa kohë që të dyja palët deri më tash janë marrë vetëm me formulimin e dosjes pa hyrë në negociata konkrete, që do të kërkonin edhe lejen e Presidentit   

“I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, se do të vijoj të ushtroj detyrat e mia me përgjegjësinë maksimale shtetërore e kushtetuese dhe se nuk do të pranoj për asnjë çast të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar”, tha Meta, duke lënë të hapur mundësinë e kontestimit të këtij procesi.

Prej kohësh, Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur se “është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë