Kosova

Detaje tronditëse nga vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj. Vdiq nga thyerja e gjymtyrëve, para se ta çonin në spital

Për 18-vjeçaren nga Ferizaj, Marigona Osmani,  e cila vdiq si pasojë e dhunës nga bashkëshorti i saj nuk ka ende një raport të autopsisë, por një çertifikatë paraprake që i është dorëzuar familjes të së ndjerës tregon detaje tronditëse për dhunën e ushtruar nga personi kryesor i dyshuar Dardan Krivaqa.

Nazlije Balaj, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, tha se  vrasja e 18-vjeçares erdhi si pasojë e politraumës. Por çka nënkupton politrauma?

”Nuk ka ende raport të autopsisë, por ka çertifikatë të autopsisë. Sepse raporti i autopsisë përmbyllet kur të mbyllen të gjitha analizat laboratorike… Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje…  E ndjera ka vdekur 24 orë përpara para se të dërgohej nga të dy të dyshuarit në spitalin e Ferizajt”

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, këtë të mërkurë ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj ndaj Dardan Krivaqës. Ky i fundit në bashkëpunim me Arbër Sejdiun dyshohen se kanë vrarë 18-vjeçaren Marigona Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë