Ka ndodhur

Detaje të reja nga atentati në Rrëshen

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e Anton Kelit mbrëmjen e kaluar në Rrëshen.
51-vjeçari u qëllua me breshëri teksa doli nga automjeti i tij. Hetuesit u rikthyen sërish këtë mëngjes në vendngjarjen ku u vra 51-vjeçari. Automjeti i përdorur prej tij që qëndroi deri sot në mëngjes në vendngjarje u mor për analizë të mëtejshme.
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 17:40. Dyshohet që autorët mund të kenë marrë më parë informacion dhe e prisnin viktimën në hyrje të Rrëshenit.
Sipas të dhënave nga hetimet, ai ndaloi makinën e tij 200 metra larg marketit. Më pas doli nga mjeti dhe drejt tij u qëllua me armë. 51-vjeçari edhe pse me plagë në trup eci për të kërkuar ndihmë drejt marketit dhe aty ra në tokë.
Në spitalin e Rrëshenit shkoi me shenja jete, por nuk ka mbijetuar dot. Ndërkaq, hetimet i kushtëzon më shumë fakti se në zonë nuk ka pasur kamera sigurie. Nuk ka ende një pistë kryesore por, grupi hetimor është përqendruar te hakmarrja, por edhe ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur së fundmi 51-vjeçari.
Kush është Anton Keli?
Nga burimet policore mësohet se Anton Keli është i afërm i Tonin Gjinit, i njohur edhe me emrin Armando Gjini, i cili u ekzekutua më 12 gusht 2019 në qytetin e Rrëshenit. Ngjarja ndodhi në mes të ditës kur Tonin Gjini po priste në makinë bashkëshorten e tij.
Një vit më vonë u tentua të vritet edhe vëllai i Tonin Gjinit. Preng Gjini mbeti i plagosur në një shpërthim të fuqishëm me tritol që tronditi Tiranën më 15 shtator 2020. Preng Gjinit i ishte vendosur një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive poshtë makinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë