Drejtësia

Detaje nga arrestimi i Agim Kajmakut / Itinerari që ndoqi dhe llogaria rrjedhëse e bashkëshortes së tij

Nga Gazeta Si – Detaje të reja kanë dalë nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku në Itali. Ai ranë në pranga tri javë më parë me 20 kg kokainë, brenda një kamioni me vazo me lule.

Mediat italiane shkruajnë se Interpoli, Karabinierët dhe policia shqiptare po hetojnë trafikun e gjerë të drogës, ku disa politikanë shqiptarë dhe në veçanti ish-kryebashkiaku i cili u arrestua tre javë më parë në Grottammare, së bashku me nipin, Edmond Kajmaku me 20 kilogramë kokainë.

Në pranga përfunduan Edmond Kajmaku, 34 vjeç, banues në Monterubbiano dhe daja i tij Agim Kajmaku, ish-kryetar i Bashkisë Vorë.

Aktualisht ata akuzohen vetëm për trafik droge. Situata e tyre, tashmë mjaft e komplikuar mund të përkeqësohet më tej nëse hipotezat e hetuesve do të rezultojnë të sakta, sipas il Resto del Carlino.

Sipas mediave italiane ishte një plan thuajse perfekt për të menaxhuar tregun e gjerë të kokainës nga një fshat i izoluar në Marche pranë portit të Ankonës dhe Barit, të gjitha me koordinimin e nipit të politikanit shqiptar, tashmë në Itali.

Mirëpo, diçka nuk shkoi mirë dhe pas zbulimit të bërë nga karabinierët brenda vazove me bimë të blera nga kompania e luleve, aksioner i së cilës ishte ish-kryebashkiaku dhe tashmë në pronësi të gruas së tij, nisi një hetim shumë më i gjerë ndërkombëtar.

Pista hetimore italo-shqiptare ditët e fundit i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm një kamioni të kompanisë shqiptare të luleve në portin e Durrësit dhe ka zbuluar vendet e fshehta në mjet, edhe pse nuk kanë konstatuar lëndë narkotike.

Në këtë mënyrë  është zbuluar mënyra se si dyshohet se lëviznin qindra kilogramë drogë. Policia shqiptare ka gjetur edhe një llogari rrjedhëse në emër të bashkëshortes së politikanit me dy milionë dollarë, prejardhja e së cilës është ende nën hetim.

Hetuesit verifikuan gjithashtu se, pesë ditë para sekuestrimit të kokainës, politikani i njohur shqiptar kishte udhëtuar me avion nga Tirana në Ankona.

Më pas ai shkoi në Monterubbiano dhe së bashku me nipin e tij morën një makinë me qira. 34-vjeçari Edmond Kajmaku, nga ana tjetër, para se të arrestohej, jetonte në Monterubbiano dhe më parë ka qenë drejtor i UKT.

Ish-kreu i Bashkisë së Vorës u arrestua bashkë me nipin e tij në 27 maj në Itali pas një operacioni antidrogë ku iu gjetën 20 kg kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur brenda vazove të bimëve që ishin blerë nga kompania në zotërim të Kajmakut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë