Politike

Dështon seanca, ekipi negociator i Kosovës në dorë të serbëve

Kuvendi i Kosovës duhej të mblidhej në dy seanca të jashtëzakonshme ditën e martë. Mbledhja e parë ishte me kërkesë të qeverisë për të diskutuar dhe më pas miratuar grupin negociator të saj në bisedimet me Serbinë.

Por, në këtë seancë opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mungoi.

“Duhej që të vinin në seancë e të tregojnë mendimet e tyre. Zgjidhja më e mirë ka qenë ardhja në seancë dhe shpalosja e pikëpamjeve. Mungesa nuk ndihmon, as vetë opozitën dhe qëllimin e saj, që thotë është ruajtja e territorit të Kosovës”, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se pjesë e grupit negociator janë Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Avni Arifi dhe Mahir Yagcillar, të cilët do të drejtohen nga Fatmir Limaj. Pjesë e grupit mund të bëhen edhe partitë opozitare dhe shoqëria civile, që ka vendet e rezervuara në ekip.

Por, duket e vështirë që opozita kosovare t’i bashkohet kësaj nisme të qeverisë. LDK dhe Vetëvendosje njëzëri thonë se qëllimi i grupit negociator është i dyshimtë.

“Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëvetë Kosovës, do të përligjë në emër të qeverisë marrëveshjet e fshehta të Thaçit me Serbinë. Shteti i Kosovës po hyn në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e Kosovës”, deklaroi Lidhja Demokratike e Kosovës.

Tashmë, shpresat e qeverisë për ngritjen e këtij grupi varen nga deputetët serbë, për të plotësuar kuorumin prej 61 deputetësh që duhet të jenë të pranishëm për të nisur seanca.

Opozita nga ana tjetër kërkoi një tjetër seancë të jashtëzakonshme, por jo për emrat e ekipit negociator, por për shqyrtimin dhe më pas miratimin e një rezolute. Përmbajtja e kësaj rezolute kishte në thelb të saj pikërisht bisedimet me Serbinë dhe përmes kësaj rruge, Vetëvendosje kërkon që t’i ndalojë Hashim Thaçit të bisedojë me Serbinë për çështjen e kufijve.

“Ne po bëjmë përpjekje që ta ndalojmë përmes rrugëve institucionale dhe rezolutës, nëse kjo nuk ndodhë, atëherë do të thërrasim protesta”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi.

Me këto qëndrime, tre përpjekje të qeverisë për të mbledhur Kuvendin dhe për të shqyrtuar grupin negociator dështuan dhe në fund, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës u shty për në orën 14:00 të së mërkurës.

Rezolutë edhe në Shqipëri

Edhe opozita në Shqipëri po mendon dërgimin e një rezolute në Kuvendin e Shqipërisë, e cila në thelb është e njëjtë me atë të opozitës kosovare. Nisma u bë publike paraditen e së martës nga Selia Blu dhe më vonë, përmes deputetit Ervin Salianji u konfirmua.

Nga PD thonë se kjo është një nismë e kryetarit që ka ngritur një grup pune, që do të hartojë rezolutën në mbështetje të qëndrimit të disa forcave politike në Kosovë, për mosndryshimin e kufijve.

Mësohet se rezoluta e PD-së, mbështet fuqishëm ruajtjen e formës unitare të qeverisjes në republikën e Kosovës. Ajo do të mbështesë fuqishëm reformat që sigurojnë antarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.

Për çështjen e kufijve foli edhe Johannes Hahn. Komisioneri për Zgjerimin foli më hapur se herët e tjera në mbështetje të diskutimeve për kufijtë, ndërsa në Preshevë, Aleksandër Vuçiç u takua me Zoran Zaev dhe mediat raportuan se edhe këtu u diskutuan për çështjen e kufijve.

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen ditën e premte në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Mediat në Kosovë, raportojnë se në këtë takim është tërhequr nga tryeza bisedimi për çështjen e kufijve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë