Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor të ngritur për çështjen e incineratorëve nuk u zhvillua për mungesë kuorumi për shkak të mungesës së anëtarëve socialistë të komisionit.
Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku tha se socialistët kishin arsyetuar mungesën në këtë mbledhje me përfundimin e sesionit parlamentar. Por, Tabaku deklaroi se sesioni nuk ka përfunduar dhe akuzoi se bojkoti i mbledhjes nga ana e Partisë Socialiste është i qëllimshëm për të penguar hetimin e këtij koncesioni, që sipas opozitës është kryekëput korruptiv.
“Është për të ardhur keq që Partia Socialiste bojkoton mbledhjen e Komisionit Hetimor pikërisht sot që drejtësia i ka dhënë mundësi parlamentit të Shqipërisë që të vazhdojë me planin e hetimit për të zbuluar se kush në të vërtetë kreu korrupsionin më të madh në Shqipëri me 430 milionë euro. PS premtoi se nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd të përfshirë në këtë aferë, ndërsa sot mbrojtja politike po jepet duke bojkotuar punimet e komisionit hetimor”, deklaroi Tabaku.
Pavarësisht kësaj, deputetja e PD tha se hetimi i këtij Komisioni po i afrohet të vërtetës dhe Lefter Koka është vetëm fillimi.
“Ndërkohë që Lefter Koka është vetëm fillimi i këti hetimi, Partia Socialiste është rreshtuar haptazi në mbrojtje të interesit korruptiv të Lefter Kokës, Klodian Zotos e Stela Gugalljas që janë në kërkim dhe të Mirel Mërtirit”, u shpreh Tabaku.
Sipas PD, bojkoti i socialistëve është mbrojtje që po u jepet personave të tjerë politikë të përfshirë në këtë aferë, që opozita thotë se shkon deri në majat e Qeverisë.
“I kemi kërkuar SPAK që të hetojë me Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Qazim Sejdinin, Armand Subashin dhe sigurisht me Erion Veliajn. Pa bërë drejtësi me këta persona, SPAK nuk ka bërë hetimin e plotë”, u shpreh Tabaku.
Kryetarja e Komisionit tha se nga hetimet e deritanishme janë identifikuar rreth 40 kompani fiktive të krijuara që kanë marrë pagesa pa kryer asnjë punë. Ajo tha nga hetimet është provuar se babai i deputetit socialist, Alqi Bllako ka përfituar pagesa nga incineratorët.
Kjo do të ishte mbledhja e parë e këtij Komisioni pas arrestimit nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili akuzohet se ka marrë 3.7 milionë euro në këmbim që tenderin e incineratorit të Elbasanit t’ja jepte kompanisë Albtech Energy të Stela Gugallja, gjithashtu nën hetim nga SPAK së bashku me Klodian Zoton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.