Politike

Dështon Këshilli Politik, Kodi i ri Zgjedhor drejt votimit të njëanshëm

Partia Socialiste dhe opozita jashtë Kuvendit u mblodhën në takimin e paralajmëruar të Këshillit Politik me axhendë të paracaktuar nga secila prej palëve.

Partia Socialiste u paraqit me një draft që reflektonte ndryshimet kushtetuese në Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa opozita me qëndrimin, se më parë duhet marrë mendimi i OSBE-ODIHR duke zyrtarizuar edhe kërkesën.

Për këtë arsye, vetëm pas një ore diskutimi mes palëve me qëllime krejt të kundërta, opozita bojkotoi mbledhjen, me argumentin se nuk mund të pranojë diskutimet mbi draftin e PS, pa u marrë më parë ekspertiza e OSBE/ODIHJR. "Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i maxhorancës. Ne ia bëmë të qartë që japim kohën për të reflektuar, jemi këtu dhe presim që sapo zoti Gjiknuri të bjerë dakord, të vazhdojmë punë për çështjet e tjera. Por çështja për koalicionet që të ruhen ashtu siç janë sot në kodin zgjedhor me konsensus edhe me 23 korrik, ne nuk lëvizim nga ajo pa marrë një përgjigje ekspertize nga OSBE-ODIHR", tha Bylykbashi. E kundërta ishte përgjigja e PS se nuk mund t’i shkohet ODIHR-it pa një produkt të përbashkët     

''ODIHR është organizate e specializuar për të dhënë mendim juridik mbi produkte konkrete. Sot ne sollëm një produkt, hajde ta diskutojme se koha nuk pret", tha Giknuri

Amendamentet e PS

Lista e kandidatëve të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% e hapur që do të thotë se të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon.

Pragu minimal për ndarjen e mandateve për Kuvendin, mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% e votave të vlefshme në shkallë vendi. Për të kaluar tek koalicionet, formulën e së cilës, opozita nuk e pranon. Sipas PS-së,  koalicioni zgjedhor parashikohet si subjekt zgjedhor që  konkurron në zgjedhje, ku pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike që konkurron e vetme në zgjedhje.

Gjinia më pak e përfaqësuar garantohet se do të jetë jo më pak 30% e përbërjes së Kuvendit edhe në kushtet e zbatimit të listave të hapura plotësisht. Një në tre emra të njëpasnjëshëm i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, si në listën paraprake të depozituar nga subjekti zgjedhor ashtu edhe në listën përfundimtare të mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor

Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit.

Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.

Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.

Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një dhe subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët ri-renditen vetëm në zbatim të përllogaritjes së votave parapëlqyese dhe plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore

Shpërndarja e mandateve fillon pas ri-rënditjes finale të kandidatëve duke pasur për bazë tre elementë: së pari, renditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.

Kërkesa e PD

Demokratët nuk pranojnë asnjë diskutim tjetër, qoftë edhe mbi draftin e PS-së, nëse më parë nuk merret mendimi i OSBE-ODIHR.

“Partia Socialiste propozon ndryshimin e mekanizmit të garimit zgjedhor dhe të formulës përkatëse që kthen votat në mandate, e që përfshin edhe koalicionet. Ky propozim i njëanshëm, është i papranueshëm për Opozitën, sepse ai ndryshon rregullat bazë të garimit dhe shpërndarjes së mandateve të mbledhura në garën zgjedhore, pa shkak të ligjshëm dhe vetëm 4 muaj para fillimit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore”, thuhet në kërkesën e PD-së depozituar në mbledhjen e sotme të Këshillit.

Opozita pretendon se PS po synon të ndryshojë rregullat pa shkak të ligjshëm dhe në mënyrë të njëanshme dhe se ky propozim nuk pranohet nga Opozita, për shkak se sipas saj bie ndesh me standardet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës.

“Publikisht, OSBE-ODIHR ka rikonfirmuar gatishmërinë për të dhënë ekspertizë për Këshillin Politik, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme. në emër të Opozitës kërkojmë që Këshilli Politik t’i kërkojë zyrtarisht OSBE/ODIHR-it asistencë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët, në përputhje me standardet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike”, thuhet në kërkesën e PD-së, që u refuzua zyrtarisht jo vetëm gjatë mbledhjes, por edhe më pas nga Damian Gjiknuri.

“Këto janë qiqra në hell. Të shkojmë njëherë me një produkt që të diskutohet më pas. Nuk pranon ODIHR draft të njëanshëm. Atij i shkohet me një produkt konkret”, tha Gjiknuri pas mbledhjes. Ai tha gjithashtu se nëse nuk ka konsensus, mazhoranca do të vijiojë punën në Kuvend për reflektimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, përmes grupit të punës të ngritur nga Komisioni i Ligjeve.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë