Politike

Dështon bashkimi dhe primaret në Tiranë. Berisha, asnjë vend të sigurtë për grupin ‘Bardhi’

Nga Gazeta ‘Si’- Kur ka mbetur fare pak kohë nga zyrtarizimi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, Gazetasi.al ka mësuar se procesi i përzgjedhjes së emrave, të paktën për qarkun e Tiranës, ka përjashtuar nga lista e sigurtë deputetët që iu bashkuan më vonë Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ky proces nuk ka marrë parasysh as primaret, një parim i vendosur në statut nga vetë Berisha për të identifikuar njerëzit më të votuar brenda partisë dhe për t’i marrë ato në konsideratë në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Gazetasi.al mëson se në 12 vendet e listës së sigurtë dhe të mbyllur të PD do të jenë vetëm 4 gra, aq sa është detyrimi ligjor.

Ato janë Albana Vokshi, Jozefina Topalli për PD dhe Erisa Xhixho e Mesila Doda për aleatët, përkatësisht, Partia e Lirisë dhe PDIU.

Jorida Tabaku, e cila ishte gruaja më e votuar në primaret e qarkut të Tiranës është vendosur në listat e hapura, që do të thotë se i duhet të fitojë një numër të caktuar votash dhe më shumë se çdo grua tjetër që të vazhdojë karrierën politike brenda parlamentit.

Në listën e hapur të Tiranës do të jetë gjithashtu edhe deputetja, Dhurata Çupi, e cila ishte ndër gratë më të votuara në primare, edhe pse kishte më pak se një vit që ishte zhvendosur nga Dibra në Tiranë, e deleguar në një nga degët e PD-së në kryeqytet.

Deputetet e PD, që janë lënë në listë të hapur iu bashkuan PD-së pas vendimit të grupit parlamentar të PD-së, të drejtuar nga Gazment Bardhi, për t’i dhënë fund përçarjes dhe për të realizuar atë që u quajt “bashkim në diversite.

Zyrtarisht, bashkimi ndodhi, por, pas daljes së listave, për diversitet nuk mund të flitet.

Vendet e sigurta të deputetëve dominohen nga ata që i qendruan  besnikë zotit Berisha pas vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar në shtator 2021.

Duke qenë se Tirana ka numrin më të madh të listës së sigurtë, 12 mandate, dhe ku hapësira ishte më e madhe për të manovruar me bashkimin dhe për të respektuar rezultatin e primareve, besohet se në qarqet më të vogla do të ketë akoma më pak vend për diversitet brenda forcës më të madhe të opozitës. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë