Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, ka bërë me dije se ai dhe trajneri Didier Deshamp do të takohen gjatë kësaj jave. Deshamp ka kontratë me Francën deri në Botërorin 2022 dhe në këtë takim palët do të diskutojnë për Europianin zhgënjyes, ku kampionët e botës u eliminuan me penallti nga Zvicra.
"Nuk duhet të hedhim poshtë gjithçka që është bërë më parë, përkundrazi. Kemi lojtarë të rinj me kualitet, si dhe një trajner me aftësi të mëdha. Duhet të bëjmë një analizë të qartë të situatës aktuale”, - ka shpjeguar Le Graet për programin “Telefoot” në TF1. Numri 1 i futbollit francez ka garantuar se Deshamp ka ende besimin e tij.
"Para së gjithash, është një mik, është një nga ata që nuk kanë zhgënjyer asnjëherë që kur ka marrë drejtimin e skuadrës. Është besnik, është një trajner i organizuar. Ky është dështimi i tij i parë në krye të Francës”, - shtoi Le Graet, i cili e mbrojti trajnerin direkt pas eliminimit në 1/8-at nga Zvicra, kur u duk se stoli i Deshamp u lëkund fort. Gjithsesi, gjithçka mund të ndodhë dhe duhet pritur takimi mes tij dhe presidentit të federatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.