Futboll

Dështoi në Champions, Partizani forcon mbrojtjen me kroatin Mateo Kocijan

Gazeta Si – Një ditë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Partizani ka përforcuar mbrojtjen me një futbollist kroat. Mateo Kocijan ka firmosur sot një kontratë dy-vjeçare me klubin e kuq dhe ka bërë prezantimin.

“Partizani zyrtarizon afrimin e Mateo Kocijan në skuadër. Mbrojtësi është përforcimi më i fundit i të kuqve. Kocijan, pas 2 sezoneve te Slaven Belupo, ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me kampionët e Shqipërisë. Kroati 28-vjeçar i është bashkuar ekipit në stërvitje, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Zekiç”, – shkruan klubi kryeqytetas në faqen zyrtare.

Kocijan prezantohet te Partizani nga drejtori sportiv Arber Abilaliaj. Gazeta Si, 19 korrik 2023

Kroati ishte një emër i përfolur në merkaton e Partizanit dhe tashmë është konkretizuar afrimi i tij. Pak ditë më parë të kuqtë larguan kapitenin Telushi, që luante si qendërmbrojtës. Në dy ndeshjet e Championsit skuadra e Zekiç vuajti jo pak në mbrojtje, duke pësuar 3 gola, edhe pse kundërshtari nuk ishte shumë potent në sulm.

Me afrimin e Kocijan mendohet se kampionët kanë kompletuar mbrojtjen. Ata vazhdojnë rrugëtimin në Europë, tashmë në Ligën e Konferencës, ku do të ndeshen me Eskalades të Andorrës në turin e dytë eliminator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë