Politike

Dështoi në bashkimin e demokratëve, PD e Bashës bojkoton zgjedhjet. S’ka kandidat në Kukës

Gazeta Si – Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha nuk do të paraqesë kandidat për kryetar bashkie në Kukës, duke mbetur jashtë garës së 24 shtatorit. Këtë e ka bërë të ditur me anë të një deklarate për mediat dega e PD-së së Kukësit, duke e lidhur me shkakun e kohës së pamjaftuesme për t’u organizuar.

“Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët. Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit”, thuhet në deklaratën e kësaj dege.

PD e Kukësit bëri thirrje për daljen e një kandidati të përbashkët, por kjo u nuk u arrit. Grupi i Rithemelimit nxori një kandidat të vetin, duke mos arritur të gjejnë një kandidat konsensual.

Sot ishte dhe afati i fundit për depozitimin e kandidaturave për kryetar bashkie. Me këtë vendim, në garën për kreun e bashkisë së Kukësit do të ketë vetëm dy candidate: Emri Vata nga koalicioni Meta-Berisha “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj i PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë