Ne rrjet

Dështoi interpelanca për shkarkimin e tij, Afrim Gashi: Ngadhënjeu arsyeja mbi paragjykimin dhe propagandën

Nga Gazeta 'Si'-Një interpelancë e thirrur për shkarkimin e Afrim Gashit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka dështuar të martën vonë, pasi ajo nuk i mori votat e mjaftueshme gjatë një seancë me debat të ashpër.

Vetëm 21 deputetë votuan për shkarkimin e Gashit, ndërsa 72 të tjerë votuan kundër.

Interpelanca për Gashin nuk kaloi pasi deputetët e shumicës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së, ZNAM dhe Vredi votuan kundër iniciativës së partisë “E Majta”, e cila kërkonte përgjegjësi nga Gashi për disa incidente të ndodhura në më pak se dy muaj.

Nevojiteshin votat e së paku 61 deputetëve për shkarkimin e Gashit nga posti.

Përkrahje për interpelancën e dha LSDM-ja opozitare, ndërsa në votim nuk morën pjesë deputetët e BDI-së, të cilët paraprakisht deklaruan se nuk do ta mbështesin interpelancën edhe pse kishin vërejtje për punën e Gashit.

Gashi kishte thënë gjatë një konference për media më 27 gusht se interpelanca ndaj tij nuk kishte qëndrueshmëri politike. Ai shpresonte se do të kishte paraqitje të argumenteve gjatë seancës dhe kishte paralajmëruar do ta respektonte vendimin e deputetëve se si të veprohet për këtë çështje.

Në kërkesën për interpelancë thuhej se Gashi kishte vepruar në mënyrë joprofesionale, jokushtetuese dhe ka dëmtuar sekularitetin e shtetit sepse ai ka lejuar që të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje të një komisioni. Në kërkesë po ashtu përmendej edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Gashi po ashtu akuzohet për shkeljen e ligjit për gjuhët, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo maqedonase.

Sa i përket incidentit në Aeroportin e Shkupit, Gashi ka thënë se ai ka ndërhyrë vetëm për të shmangur ndonjë incident diplomatik.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.

Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase.

Këtë Gashi e ka quajtur si fitore të arsyjes mbi paragjykimet dhe propagandën.

“Edhe njëherë ngadhënjeu arsyeja mbi paragjykimin dhe propagandën. I falënderoj të gjithë deputetët që sot morën pjesë në këtë interpelancë, që diskutuan e replikuan dhe ata që me votën e tyre të lirë dhe demokratike i dhanë përgjigje kësaj interpelance.  I falënderoj nga zemra edhe të gjithë ata që sot e dhanë mbështetjen e tyre në çfarëdo forme.  Vazhdojmë me përkushtimin e njëjtë ndaj detyrës”, ka shkruar Gashi. // REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë