Nga Gazeta ‘Si’-Kjo javë shënon përvjetorin e një momenti të rëndësishëm në histori: miratimin më 29 nëntor 1947 të Planit të Ndarjes nga ana e OKB-së. Ky plan vizionar, synonte të krijonte dy shtete të veçanta, një hebre dhe një arab, me një zonë ndërkombëtare që do të përfshinte Jeruzalemin dhe Betlehemin.
Nuk ka asnjë dyshim, që ai vendim i OKB-së hodhi themelet e planeve të paqes dhe të së ardhmes së rajonit. Po ndërsa ofroi një kornizë diplomatike për krijimin e Izraelit si një shtet i pavarur, u bë edhe një mjet për vazhdimin e konflikteve, i përdorur shpeshherë nga disa prej kundërshtarëve të Izraelit.
Sot, OKB-ja dhe disa shtete anëtare duket se kanë devijuar si nga fryma po ashtu edhe nga thelbi atij vendimi. Plani i ndarjes së territorit në 2 shtete, u përball me kundërshti të forta brenda Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me 33 shtete pro, 13 kundër dhe 10 abstenime.
Pavarësisht se udhëheqja sioniste në Palestinë e pranoi planin dhe tregoi përkushtimin e saj për të punuar brenda kufizimeve të saj të papërsosura, shtetet arabe dhe popullsia arabe në Palestinë zgjodhën në atë kohë luftën.
Konflikti që pasoi e detyroi Izraelin të luftonte për ekzistencën e tij midis viteve 1947-1948, duke mposhtur me sukses Egjiptin, Jordaninë, Libanin, Sirinë dhe vullnetarë nga e gjithë Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.
Paralelizmi me të shkuarën
Ngjashëm me ato beteja historike, Izraeli përballet sot me një betejë kundër sulmeve gjenocidale të Hamasit. Ndërsa forca ushtarake e Izraelit ka evoluar dhe është zgjeruar me kalimin e kohës, Hamasi paraqet një sfidë unike, duke përdorur si mburoja njerëzore pengjet izraelite dhe civilët palestinezë, duke shfrytëzuar kështu simpatinë ndërkombëtare për kauzën palestineze.
Fatkeqësisht, organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë organe të ndryshme të OKB-së dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, nuk kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre. Organizatat e grave, si brenda dhe jashtë OKB-së, kanë lënë pas dore mbështetjen e viktimave femra të krimeve të Hamasit.
Izraeli është detyruar të bëjë përpjekje të mëdha për të dokumentuar ndër të tjera edhe dhunën seksuale të ushtruar nga Hamasi ndaj grave dhe fëmijëve më 7 tetor, në një kohë që është OKB-ja, ajo që duhej të kishte luajtur një rol vendimtar në dokumentimin e krimeve të luftës të Hamasit, siç ka ndodhur edhe në konflikte të tjera.
Për më tepër, grupet e njohura të të drejtave të njeriut si Amnesty International, Human Rights Watch, Save the Children etj., duhet të kishin marrë një rol udhëheqës në dokumentimin dhe raportimin e krimeve të 7 tetorit. Në vend të kësaj, Izraelit i është dashur të luftojë pa u lodhur për të tërhequr vëmendjen ndaj krimeve të kryera nga Hamasi në skenën globale.
Masakra e 7 tetorit nga Hamasi, shënoi një nivel të paprecedentë dhune dhe vrasjesh masive, duke tejkaluar edhe mizoritë e kryera nga grupe të tjera terroriste, siç ishin sulmet terroriste në Mumbai të Indisë në vitin 2008. Pavarësisht nga ashpërsia e situatës, disa vende përfshirë Rusinë dhe Kinën, kanë nguruar të dënojnë krimet e Hamasit.
Për më tepër, Kryqi i Kuq nuk ka vizituar në asnjë moment izraelitët e mbajtur peng në Gaza, duke lënë për më shumë se 50 ditë njerëz të moshuar pa asnjë kujdes mjekësor thelbësor. Mungesa e kërkesave të zëshme nga grupet humanitare, duke përfshirë Kryqin e Kuq, dhe zhgënjimi nga sjellja pasive e organizatave të tjera humanitare, po ndihmojnë në mosndëshkimin që gëzon ende Hamasi për krimet e tij.
Aftësia e udhëheqësve të kësaj organizate radikale për të udhëtuar lirshëm nëpër rajon – nga Doha në Bejrut dhe deri në Ankara – tregon më së miri ndjenjën e imunitetit që vazhdon të gëzojë ky grupim. Është e domosdoshme që OKB-ja dhe organizatat e të drejtave të njeriut të rivlerësojnë rolet dhe funksionet e tyre.
Lufta e vazhdueshme midis Izraelit dhe Hamasit, u ofron atyre një mundësi unike për të ri-shpikur veten, duke u çliruar nga paragjykimet e së kaluarës dhe duke i rezistuar manipulimit nga regjimet autoritare që shfrytëzojnë në mënyrë cinike OKB-në për të çuar përpara interesat e tyre dhe për të mbrojtur veten nga kritika.
Po ashtu, përgjegjësi për situatën aktuale kanë edhe vendet perëndimore që e mbështetën rezolutën e nëntorit 1947, dhe që e konsiderojnë veten ende pjesë e miqve të Izraelit. Është detyra e tyre që të sigurojnë që të drejtat e njeriut të mos sakrifikohen për të qetësuar Hamasin.
Ndërsa Hamasi ndjek synimet e tij rajonale, duke u përpjekur të sabotojë rolin e Autoritetit Palestinez dhe të nxisë dhunë, kaos, gjenocid dhe destabilitet në Lindjen e Mesme, ai duhet të përballet me një vendosmëri më të madhe.
Duhet të ringjallet fryma e vitit 1947, jo vetëm në mbështetjen e palëkundur për të drejtat e Izraelit si shtet, por edhe në mbrojtjen e të drejtave të popujve të lirë në rajon për të jetuar pa kërcënimin e rrezikshëm të ekstremizmit. Kjo kërkon një përkushtim global ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe një përkushtim të ripërtërirë ndaj parimeve themeluese të OKB-së.
Burimi: Jerusalem Post/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.