Futboll

Dështim dramatik i Partizanit, Laçi ruan nderin shqiptar në Europë

Gazeta Si – Eliminim dramatik i Partizani që në turin e parë të Ligës së Konferencës. Të kuqtë, pa fat te penalltitë, i japin kështu lamtumirën Europës shumë shpejt. Kualifikohet Laçi, që fiton 0-1 në Mal të Zi ndaj Iskrës dhe ruan nderin shqiptar në Europë.

Ishte një dështim total për Partizanin, ashtu si për Tiranën në Champions. Të kuqtë nuk mundën të administronin dot fitoren e ndeshjes së parë. Ata u eliminuan me penallti në “Air Albania” nga gjeorgjianët e Saburtalo.

Nga ndeshja Partizani-Saburtalo, 0-1. Gazeta Si, 14 korrik 2022

Koha e rregullt u mbyll me fitoren 0-1 të Saburtalo Tbilisi, që i ktheu reston e ndeshjes së parë Partizanit. Guliashvili realizoi golin që baraspeshoi gjithçka pak pas nisjes së pjesës së dytë.

Gjatë 90 minutave të dyja skuadrat patën raste për shënim. Partizani shpëtoi 2 minuta para fundit, kur mund të ndëshkohej me golin e dytë, por gjeorgjianët gabuan nga shumë afër portës së Teqjas.

Ndërhyrjet e trajnerit Dritan Mehmeti nga stoli nuk ndryshuan gjë. Ai aktivizoi Cvetanoskin, Gueje dhe Ndrecën, më pas edhe Sotën dhe Telushin.

Në shtesën e parë Skuka shpërdoroi një mundësi të artë, pas një kundërsulmi të shpejtë të Partizanit. Një pasim i Rrapajt e nxori atë përballë portierit mik, por sulmuesi i kuq e dërgoi topin mbi tra.

Edhe shtesa e dytë nuk solli ndryshim rezultati, kështu që kualifikimi iu la ruletës së penalltive. Të dyja skuadrat gjuajtën nga 7 penalli. Lojtarët e Partiazanit humbën 3 penallti, ndërsa gjeorgjianët 2. Për ekipin e kuq gabuan Atanasoski, Rrapaj dhe Gueje.

Ka kaluar në turin e dytë të Ligës së Konferencës Laçi i trajnerit Shpëtim Duro. Kurbinasit fituan 0-1 në fushën e malazezëve të Iskrës, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim 0-0. Goli i Mazrekajt që në fillim të ndeshjes i dha kualifikimin Laçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë