Gazeta Si – Mark Molla, ish-administratori i Ujësjellësit të Shkodrës, ka dëshmuar këtë të enjte në GJKKO, në procesin që zhvillohet ndaj ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia.
Molla ka deklaruar se në vitin 2022 është njoftuar për largimin e tij nga detyra e administratorit të Ujësjellësit me anë të postës.
Ai iu drejtua gjykatës dhe kjo e fundit nuk e njohu vendimin për shkarkimin nga detyra. Megjithatë, sipas kallëzuesit, ish-kryebashkiaku lëshoi një urdhër të dytë për largimin e tij nga detyra. Herën e tretë, dëshmoi Molla, njoftimin e mori nga një punonjës i Bashkisë së Shkodrës.
“Në vitin 2022 kam qenë administrator i Ujësjellësit Shkodër. Në maj të atij viti jam njohur me një urdhër largimi, që ka ardhur me postë. Unë i jam drejtuar gjykatës. Gjykata nuk e ka njohur si vendim. Spahia ka bërë një tjetër urdhër largimi. Edhe atë e padita në gjykatë, e cila po ashtu nuk e njohu vendimin e kryebashkiakut. Ndërkohë, pas vendimit të tretë të largimit, erdhi një person nga Bashkia dhe më kërkoi të liroja zyrën. I thashë që do ta liroja vetëm nëse më thoshte gjykata. Atë ditë shkova në Postribë për çështje pune. Ndërkohë, godina e Ujësjellësit u rrethua nga policia dhe policia bashkiake”, mësohet të ketë dëshmuar Molla në gjykatë.
Molla rrëfen sesi në ambientet ku punonte i kanë shkuar njerëz dhe i kanë thënë të lironte zyrën.
Ai shprehet se Bardh Spahia veproi si komunist. “Këto vendimmarrje nuk janë bërë të ditura punonjësve të ujësjellësit. Unë merakun tim e kam pas me shku te Bardhi si kryetar bashkie dhe filloi luftën jo me burrni, por e vazhdoi me metodat e tij të ngjashme komuniste. Doja ta shikoja ballë për ballë”.
Në prill të këtij viti (2025), ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, u mor i pandehur nga GJKKO, pas denoncimit të bërë pikërisht nga Mark Molla, nën dyshimet se ka penguar zbatimin e një vendimi gjyqësor në kohën kur ishte në detyrë.
Vetë Spahia i ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se kallëzimi ndaj tij është bërë me porosi politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.