Drejtësia

Dëshmon motra e Ervis Dedës: Si e mora vesh vrasjen e vëllait tim. Mamin e vranë për 40 mijë euro!

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e radhës në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, ku në gjyq është trajtuar vrasja e Ervis Dedës në vitin 2012 dhe nënës së tij, Fatmira Deda në vitin 2013.

Në seancë ishte thirrur për të dëshmuar, M.Deda, motra e Ervis Dedës dhe e bija e Fatmira Dedës. Teksa e thërret vëllain e saj të ndjerë me pseudonimin “Loshja”, motra e tij thotë se nuk kishte asnjë dijeni me çfarë merrej vëllai i saj.

Ajo shtoi se pas vrasjes së vëllait të saj, nuk kishte patur komunikim me të ëmën. Sa për këtë të fundit, M.Deda shprehet se e kanë vrarë për 40 mijë euro.

Ndërsa rrëfeu se ishte takuar disa herë me autorin kryesor të dyshuar, Festim Qolin për t’i shitur këtij të fundit një pjesë të aksioneve të një biznesi. Vlera që kishte përfituar nga këto aksione ishte 45 mijë euro.

Dëshmitarja u shpreh më tej se daja i saj Besnik Dedja nuk i kishte treguar se Festim Qoli ishte vrasësi i vëllait dhe nënës së saj.

“Po të ishte gjallë Loshja nuk do kishin shans të preknin nënën time me dorë. Loshja ka pas marrëdhënie të ngushtë me mamin. Është situatë dramatike, nuk kam fjalë. Me nënën nuk kam patur fare komunikim kur vdiq vëllai. Mami im është vrarë për 40 mijë euro. Besnik Dedjan e njoh si dajën e Loshes, sepse unë nuk kam patur marrëdhënie me njerëzit e mamit. Jam takuar disa herë Festim Qolin, pas vrasjes së nënës time. Qëllimi i takimit ka qenë shitja e disa aksioneve të një biznesi. Vlera që përfitova nga ky truall ishte 45 mijë euro”, – tha dëshmitarja.

Ajo ka sqaruar se që nga viti 1997 nuk ka pasur komunikim me vëllanë, por se ka pasur informacione se ai ka shkuar në Belgjikë dhe në Holandë, për t’u kthyer më pas në Shqipëri në vitin 2008.

Fatmira Deda, u vra në vitin 2013 në moshën 60-vjeçare, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në Golem. Ajo në atë kohë u godit me sende të forta në mënyrë që vrasja të dukej si një grabitje.

Në kërkim për vrasjen e saj, është shpallur i shumëkërkuari i drejtësisë, Talo Çela, ndërsa Nuredin Dumani, ka vepruar si bashkëpunëtor në krim. 

Sipas dëshmisë së këtij të fundit, vrasja është porositur nga Festim Qoli, pasi gruaja ishte interesuar dhe po jepte prova në prokurori për autorët e vrasjes së djalit të saj, Ervis Deda, i cili ishte ekzekutuar në mënyrë mafioze në vitin 2012.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë