Politike

Shtyhet seanca për Taulant Ballën në Komisionin Hetimor për ‘TIMS’, Salianji: Kanë frikë nga e vërteta (dëshmon kryepolici Rrumbullaku dhe drejtori i IT në polici)

Gazeta Si - E shoqëruar me debate dhe tensione, ka zgjatur deri në mesnatën e 15 majit mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS ku ishin thirrur për të dëshmuar ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish drejtori i Tekonologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.

Ky i fundit i shoqëruar nga policia la banesën, ku prej 10 prillit ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe mbërriti në kryesi rreth orës 23:30.

Për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor, u dakordësua që të tre të thirreshin edhe një herë më 28 maj pasi të jenë pajisur me çertifikatë sigurie edhe ata anëtarë të komisionit që nuk e dispononin. 

Taulant Balla, i cili kërkoi mbledhjen me dyer të mbyllura për të dëshmuar për të dhënat e sistemit “TIMS”, nuk e përfundoi marrjen në pyetje në Komisionin Hetimor, për shkak se zotëronte informacione të klasifikuara dhe një pjesë e mirë e anëtarëve nuk kishin certifikatë sigurie.

Seanca me të u shty në një datë tjetër dhe opozita kërkoi që të vazhdohej me dëshmimtarët e radhës, por kjo nuk u pranua nga mazhoranca të cilët braktisën mbledhjen.

Më herët, ministri i Brendshëm iu drejtua me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).

Kreu i Komisionit Hetimor për Sistemin “TIMS”, Ervin Salianji, ka deklaruar se seanca dëgjimore me Ballën do të shtyhet për një moment tjetër dhe do të vazhdohet me dëshmitarët e tjerë që janë në listë për t’u pyetur.

Salianji u shpreh se kjo nuk u pranua nga anëtarët e PS, pasi sipas tij “kanë frikë të përballen me të vërtetën.

“Ishit që të gjithë me media të hapur sesi PS kërkoi që mbledhja të zhvillohej me deputetë që nuk kanë  certifikatë sigurie, por mbledhja të jetë e mbyllur.Po këta deputetë thonë që ta shtyjmë mbledhjen se nuk kemi certifikatë sigurie. Ne kemi vendim të ndërmjetëm. Unë nuk e shkel ligjin që PS të mbulojë ndonjë gjë që ka për të mbuluar. Është vendimmarrje e PS, tani u bojkotua nga PS nga frika e përballjes. Dëshmitarët e tjerë po presin në radhë. Ka një vendim të prokurorisë që ka sjellë Ervin Mucën. Duan ta fusin në kalendar për të mos u përgjigjur. Mbledhja është e hapur dhe vazhdimi i mbledhjes bëhet sipas ligjit. Kush nuk e respekton në do depozitojmë në SPAK për personat që braktisin detyrën”.

Salianji theksoi se ka propozuar që të shtyhet mbledhja me ministrin derisa të pajisjen me certifikatë sigurie dhe ta zhvillojnë mbledhjen me dëshmitarët e tjerë. “Ata nuk pranojnë, sepse i ka ardhur Muça aty dhe kanë frikë të përballen”, tha Salianji.

Ndërkohë, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka përfunduar dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për TIMS.

Rrumbullaku kërkoi që dëshmia e tij të bëhej me dyer të mbylluar pasi tha se përmban të dhëna sensitive. Salianji ka hedhur për votim kërkesën e kreut të Policisë së Shtetit, kërkesë e cila është miratuar vetëm me votat dhe opozitës.

"Kërkesa ime të hidhet në votim, unë jam gati të përgjigjem për të gjitha. Në sistemin TIMS, kemi të bëjmë me ndërhyrje të paautorizuara dhe mos respektim të procedurave. Në këtë aspekt kam kryer të gjitha kompentencat e mia ligjore", - deklaroi kreu i Policisë së Shtetit.

Pas kryepolicit të vendit, në radhë për të dëshmuar ka qenë dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i akuzuar për kopjimin e të dhënave të sistemit "TIMS".

Muça është futur i shoqëruar nga Policia e Shtetit, ndërsa mbledhja po mbahej me dyer të mbyllura.

Dëshmia e tij zgjati 30 minuta dhe kur doli u pyet nga gazetarët se kush e detyroi të merrte të dhënat e TIMS. "E kam dhënë këtë përgjigje", tha Muça.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë