Kosova

Dëshmia e James Rubin në Hagë: Pse Thaçi fillimisht refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje

Nga Gazeta ‘Si’- Ka nisur në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku mbrojtja po prezanton dëshmitarët e saj.

Dëshmitari i parë është James Rubin, ish-Nënsekretar i Shtetit dhe krahu i djathtë i Madeleine Albright. Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy deri në tri ditë.

James Rubin, në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiç, tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.

Rubin u angazhua nga sekretarja e atëhershme e Shtetit amerikan, Madeline Albright, për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.

Ai vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak, dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.

Megjithatë, Rubin theksoi se që në fillim Thaçi kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike dhe të mbështetur nga vlerat perëndimore.

Rubin rikujton takimin e fundit me Thaçin

Rubin u pyet për takimin e fundit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se ka ndodhur në vitin 2019.

Rubin tha se, atëkohë, kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.

“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh”, tha Rubin, duke kujtuar momentin e takimit.

Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

“Pikërisht këtë synova në punën time me të – t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.

Tregon se si Thaçi e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes

Rubin tha se gjatë Konferencës së Rambujesë, Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar marrëveshjen në emër të UÇK-së.

Rubin tregoi se sekretarja Albright i kishte thënë Thaçit se lidershipi duhet të marrë vendime të vështira dhe se pa pranimin e tyre nuk do të kishte mbështetje nga Perëndimi.

“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo”, shtoi Rubin, duke shpjeguar se ish-presidenti ishte nën presion nga komandantët e UÇK-së dhe nga financuesit evropianë.

Rubin përmendi se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis që të mund të vazhdohej në fazën tjetër, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.

Por për Thaçin, tha Rubin, nënshkrimi i ndonjë deklarate që s’e specifikonte pavarësinë, do të konsiderohej tradhti.

“Ne nuk kishim ende ndonjë qëndrim të qartë sa i takon pavarësisë. Neve na duhej një kompromis që të kalonim në fazën tjetër”, tha Rubin.

“Thaçi kishte rol politik, por jo kompetenca. Atij i kishin thënë se nëse nuk e përmend pavarësinë, do të ishte tradhtar”, shtoi ai.

Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi gjatë dëshmisë së Rubinit.

Rubin: Roli i Thaçit ishte më shumë politik

Rubin rrëfeu detaje nga roli i tij gjatë procesit të demilitarizimit të UÇK-së në Kosovë.

Ai tha se detyra e tij ishte të pasqyronte pikëpamjet e të gjithë aleatëve të NATO-s dhe vendeve pjesëmarrëse në KFOR, ndërsa struktura e UÇK-së ishte e paorganizuar dhe e vështirë për t’u kuptuar, sipas tij.

Rubin tha se Thaçi ishte i ri dhe nuk kishte kompetenca të merrte vendime për aspektet ushtarake të UÇK-së.

Ai përfaqësonte pikëpamjet e komandantëve të tjerë, ndërsa ata e informonin për qëndrimet e tyre, shpjegoi Rubin.

“Nuk u thoshte Hshimi komandantëve se çfarë të bënin, por komandantët i thoshin atij”.

Rubin përshkroi gjithashtu tensionet brenda UÇK-së, ku disa komandantë kërkonin të ruanin nivelin maksimal të forcës ushtarake, ndërsa ndërkombëtarët synonin minimumin, për të lehtësuar demilitarizimin.

Ky dialog i vështirë, sipas Rubinit, tregonte qartë se roli i Thaçit ishte më shumë politik sesa ushtarak.

“Unë këtë e përktheva si rol të një ministri të Jashtëm, ose rol politik”, tha Rubin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë