Kosova

Dëshmia e britanikut John Duncan në Hagë: UÇK-ja nuk kishte hierarki

Nga Gazeta ‘Si’- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.

Në fund të viteve ’90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij – për të cilën ai u përgjigj me ‘po’.

Ai tha se UÇK-ja kishte përbërje heterogjene dhe se përbëhej nga njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme.

“Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person”, tha Duncan.

“Ne e quanim atë ‘ushtria e atyre që nuk kishin asgjë’. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta. Motivi i tyre nuk ishte i njëjtë”, sipas tij.

Për UÇK-në, ai tha se nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave.

“Kjo ishte vështirësia me të cilën përballeshim atje”, tha Duncan, sepse “nuk kishin strukturë hierarkike – ishin të organizuar ndryshe”.

Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, përfshirë Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

“Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë”, tha Duncan.

Informacionet për Kosovën, Duncan tha se i merrte nga burime të ndryshme.

“Së pari, lexoja të gjitha informacionet në internet për 24 orët e fundit lidhur me Kosovën. Më pas dëgjoja lajmet e fundit, BBC-në… shqyrtoja të gjitha kabllogramet diplomatike, shërbimet e monitorimit dhe më pas hyja në takime dhe informoja gjeneralin Clark. Po ashtu, bisedoja edhe me gazetarë dhe organizata joqeveritare për të marrë sa më shumë informacion”, tha Duncan, teksa përshkroi, siç u shpreh ai, një ditë të zakonshme pune të asaj kohe.

“Detyrat e mia kryesore ishin t’u jepja këshilla komandantëve ushtarakë lidhur me aspektet politike dhe diplomatike, por edhe t’i udhëzoja për mënyrën e reagimit dhe ndikimin e tyre në operacionet përkatëse”, shtoi Duncan.

Ai kishte shërbyer edhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

“Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vjet, dhe unë isha vërtet i interesuar të kuptoja se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte baza e detyrës sonë si diplomatë. Ne duhej t’u shpjegonim eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodh brenda saj, si veprojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati – t’ua shpjegojë të gjitha aspektet e një shoqërie eprorëve përkatës”, tha Duncan.

Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.

Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim.

Dy dëshmitarë të tjerë do të paraqiten nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ende nuk ka thirrur dëshmitarë./rel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë