Politike

Dëshmia e administratores, incineratori i Tiranës fiton miliona lekë vetëm nga tarifa e depozitimit

Komisioni Hetimor Parlamentar për incineratorët nisi këtë javë punën me marrjen në pyetje të administratorëve të tre impianteve. E para që dëshmoi ishte administratorja e incineratorit të Tiranës, Ariola Kodra.

Kodra tha para deputetëve se aktualisht fitimi neto i kompanisë sigurohet vetëm nga tarifa e vendosur për depozitimin e mbetjeve, që është 29 euro për ton. Për vitin 2020, ky fitim është raportuar në rreth 700 mln lek.

Administratorja tha se aktualisht në Sharrë kryhet vetëm selektimi i mbetjeve urbane dhe incinerimi nuk ka filluar ende. Sipas saj, puna për ngritjen e impiantit djegës ka filluar dhe është brenda afatit të parashikuar në kontratë për ndërtimin e tij, që është viti 2026.

Opozita ngriti pretendimet se afati i punimeve në këtë incinerator nuk është respektuar sipas kontratës, që parashikon gjithashtu edhe gjobitje për kompaninë në këtë rast dhe dëmshpërblim nëse kjo vonesë nuk është shkaktuar prej saj.

Administratorja Kodra tha se vonesa nuk është shkaktuar nga kompania dhe fajësoi institucione shtetërore për këto vonesa. Gjithsesi, ajo u shpreh se kontratës i është dorëzuar një grafik i ri punimesh me afate të reja.

“Pra, po thoni që vonesa është shkaktuar nga autoriteti kontraktor?”, e pyeti deputeti i PD, Luçiano Boçi.

Opozita ngriti dyshime se si në skemën e incineratorit të Elbasanit, edhe në këtë të Tiranës janë përdorur kompani fiktive e fatura fiktive për të pastruar paratë e korrupsionit. Administratorja Kodra tha se kompania “Integrated Energy” ka kontrata bashkëpunimi me rreth 40 kompani të tjera, për nevojat e saj.

Ajo tha e është takuar me Mirel Mërtirin, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan, dy të fundit të shpallur në kërkim, por tha se nuk e mban mend kohën se kur është takuar për herë të fundit.

Deputeti Belind Këlliçi ngriti pyetjen se si ka mundësi që në vit pandemie, kompania raporton 800 mln lek shpenzime për udhëtime. Kësaj pyetjeje të tij, administratorja Kodra iu përgjigj duke thënë se udhëtimet janë kryer për të blerë impiantet e djegies.

Sipas Kodrës, kompania “Integrated Energy” ka blerë dhe paguar impiantet djegëse të mbeturinave, por nuk i ka pasqyruar në situacionet e veta financiare duke deklaruar se do të bëjë këtë kur këto impiante të mbërrijnë në Sharrë.

Shumë prej pyetjeve të ngritura nga deputetët e PD-së morën përgjigjet “Nuk e di” dhe “do të konsultohem me stafin” prej administratores së Integrated Energy.

Seanca u shoqërua me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës. Këta të fundit kundërshtuan disa pyetje me pretendimin se ato nuk ishin objekt i punës hetimore të komisionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë