Treg

Dëshira e të rinjve për të emigruar, të dekurajuarit të parët

Të rinjtë përballen me një treg të ashpër pune dhe mungesë të vendeve të punës në të gjitha vendet e botës.

Por fenomeni që shqetëson më shumë aktualisht e prej kohësh është kategoria e të rinjve të papunë që nuk janë as në shkollë.

Një raport i fundit i FMN-së tregon se rreth 20% e të rinjve të moshës 15- 24 vjeç në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara nuk janë as në punë e as në shkollë. Kjo shifër është dy-fishi i mesatares së ekonomive të përparuara.
Edhe në Shqipëri kjo kategori të rinjsh është një fenomen shqetësues sepse mbi të gjitha rezulton në rritje.

Sipas të dhënave të INSTAT, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan në tremujorin e katërt të 2017-ës se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 71,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e kësaj moshe që janë ekonomikisht jo-aktivë, 5,2 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar, që do të thotë janë fare të paangazhuar në një aktivitet ; shkollë, trajnim apo punësim.

Të dhënat e INSTAT për tremujorin e katërt të 2018-ës tregojnë se të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 71,9 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë, kurse 6,4 % e tyre klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Pra me 1,2% rritjeje.

Studimi i stafit të FMN-së sugjeron një seri politikash për të siguruar perspektivën për punë për çdokënd, por veçanërisht për të rinjtë që nuk janë në shkollë. Studimi fokusohet kryesisht në tre politika: barazi gjinore në vendin e punës, funksionim më i mirë i tregut të punës, dhe tregje produktesh më të hapur dhe konkurrues.

Grafku tregon se hendeku i madh dhe këmbëngulës midis numrit të grave dhe burrave të rinj në vendin e punës është një pjesë e madhe e hiostorisë. Mesatarisht, gati 30 % e grave të reja në këto ekonomi as punojnë, as mësojnë.

Është gati dy-fishi i nivelit të burrave të rinj me status të njëjtë.
Mesatarisht, gati 30 % e grave të reja në tregjet në zhvillim dhe të zhvilluara as punojnë, as mësojnë.

Nësë do të vërejmë rastin shqiptar, nisur nga grafiku, fenomeni i të dekurajuarëve, pra të rinjtë që nuk janë as në shkollë, as në punë gjenden më shumë në radhët e meshkujve se të femrave.

Në disa vende sipas ekspertëve, por jo të gjitha, fenomeni mund të shpjegohet me pasojat ekonomike dhe sociale të lindjes së fëmijëve.

Për ekspertin Elvin Meka, të dekurajuarit nuk janë vetëm mes të rinjve, por gjen në çdo grup-moshë, për çdo lloj arsye. Sigurisht, thotë ai, që kjo përbën ndoshta pjesën më të ndjeshme të popullatës, pasi e ka më të vështirë për të gjetur punë, nisur dhe nga niveli i përgatitjes akademike dhe profesionale.

Elvin Meka, Dekan i fakultetit të Ekonomisë UET

“Ndërkohë, të rinjtë që bien në kategorinë “as në punë e as në shkollë” janë më shumë se të dekurajuar; ata janë në kategorinë: PROBLEMATIKE! Një i ri që as punon e as shkollohet është një kosto shumëplanëshe për shoqërinë dhe familjen, në të gjitha aspektet”- shpjegon Meka për Gazeta Si.

Sipas tij, ky grup të dekurajuarish përbën shumicën e lëndës së parë për emigracion jashtë vendit, por dhe më të dobtën për t’ju përshtatur realitetit social dhe profesional në vendet ku shkon, realitet ky që përballohet me vështirësi nga të mirëarsimuarit dhe profesionistët e vërtetë, e jo më nga kjo kategori që mund të perceptohet se krijon fare pak ose aspak vlerë të shtuar në ekonomi dhe shoqëri.

Kjo për Mekën, e bën këtë kategori pre të jo pak fenomeneve sociale dhe ekonomike aspak të këndshme madje të rrezikshme.

Por ligjet, citon raporti i FMN-së, kanë gjithashtu një rol për të luajtur. Duhet të aplikohen dhe tu japin mundësi të gjithëve.

Studimi garanton që propozimet e politikave që mund të ndihmojnë të rinjtë nuk kërkojnë të diskriminojnë punonjësit më të moshuar. Ata përfitojnë të gjithë dhe ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë së një vendi në një mënyrë të fortë dhe të qëndrueshme.

Një raport i pak ditëve më parë i fondacionit Friedrich Erbert për rininë shqiptare tregoi se 40% e shqiptarëve kishin dëshirë të largoheshin nga vendi dhe 43 % e tyre donin të largoheshin përgjithmonë nga vendi.

Arsyet kryesore që jepnin të rinjtë për dëshirën që kanë për tu larguar nga vendi ishin kërkesa për standarde më të mira të jetesës dhe për një punësim më të kënaqshëm, pra një natyrë ekskluzive ekonomike, ndërkohë që arsimi mbetet dytësor si motiv për t’u larguar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë