Të enjten në gjithë vendin numri i personave të vaksinuar ka arritur në 150 mijë.
Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila nga Rrogozhina tha se aplikimi për tu vaksinuar mund të bëhet edhe nëpërmjet portalit e-Albania.
Manastirliu tha se deri tani janë regjistruar 15 mijë kërkesa në e-Albania.
“Ne sot do të arrijmë mbi 150 mijë vaksinime. Pra përfundojmë mbi 50% të dozave të ardhura deri më tani. Vijojmë me intensitet për të vaksinuar sa më shumë të moshuar dhe më pas për të zbritur edhe në fashën edhe grupmosha të tjera.
Përveç thirrjes nga mjeku i familjes, të gjitha ata që nuk janë regjistruar ende, portali e-Albania tashmë funksionon dhe janë regjistruar 15 mijë kërkesa për vaksinim, të cilave po t’iu kthehet përgjigje për vijimin e këtij procesi”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se vaksinimi do të vijojë edhe në orët e pasdites.
“Qendrat do të vijojnë të jenë të hapura edhe pasdite, derisa të ketë mbaruar qytetari i fundit. Ky është një proces që e ka marrë tashmë rrugën e vet dhe nuk do të ndalemi”, tha ajo.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 138.846 doza të para dhe të dyta të vaksinës ndaj COVID19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




